1në tre të rinj shqiptarë kanë një dëshirë të fortë për t’u larguar nga vendi dhe 11% e tyre mendojnë se do të ikin brenda 6 muajve të ardhshëm. Kjo është një nga gjetjet e studimit për rininë kryer nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”.
“Arsyeja kryesore që i shtyn të rinjtë drejt emigrimit është kërkesa për standarde të mira jetese, ndjekur nga dëshira për më shumë të ardhura, mundësi më të larta punësimi, si dhe arsimimi”.
Cilësia në arsim, një nga faktorët që i shtyn të rinjtë drejt largimit shihet si një problematikë shqetësuese. Shumica e të rinjve nuk janë shumë të kënaqur, ndërsa perceptimi për korrupsionin në arsim është shumë i lartë.
Sakaq 27% e të rinjve të punësuar kanë deklaruar se vendi i tyre i punës nuk përkon me profilin/ degën e tyre të studimeve. Pjesë e studimit të kryer gjatë këtij vitit ishin rreth 700 të rinj të moshës 14-28 vjeç.





