Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij.

Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që la pas vetes 15 të vdekur me një nëntor.

Protesta filloi me një heshtje 15-minutëshe në nderim të viktimave dhe u pasua nga brohoritjet “I keni duart e përgjakura”. Tubime më të vogla u mbajtën edhe në qytetet e Nishit dhe Kragujevcit.

Shumë në Serbi fajësojnë për fatkeqësinë korrupsionin e përhapur dhe punimet e dobëta në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e projekteve të dyshimta që përfshijnë kompanitë shtetërore kineze. Protestuesit kërkojnë që Presidenti Vuçiç dhe përgjegjësit për shembjen e çatisë, të përballen me drejtësinë.

Deri tani autoritetet kanë arrestuar 13 persona për ngjarjen në Novi Sad, përfshirë një ministër që u la më pas i lirë, dukë shtuar mosbesimin e publikut rreth procesit të hetimeve.

Protestat e javëve të fundit e kanë sfiduar pushtetin e Presidentit Vuçiç, kundërshtarët e të cilit e akuzojnë për sundim gjithnjë e më autokratik.

Udhëheqësi serb kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është përballur me akuzat për shkeljen e lirive demokratike dhe ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. #voa #zëriiamerikës #serbia #belgrade

,

Lajme Te Ndryshme