Sipas drejtuesve të agjencive kryesore imobiliare në Tiranë, kërkesa për blerje pronash vijon të jetë e ngadalësuar krahasuar me vitin paraardhës. Por ngadalësimi i kërkesës nuk e ka frenuar rritjen e çmimeve. Në Tiranë, rritja e çmimeve nuk është ndalur edhe gjatë 2024-s. Në muajin korrik, çmimet e apartamenteve në disa nga zonat qendrore u rritën 10 deri në 16%, krahasuar me muajin korrik 2023, sipas të dhënave të agjencive imobiliare.
Konkretisht te disa zona, si ajo pranë stadiumit Dinamo, çmimi maksimal arriti në 2,900 euro/m² nga 2,600 euro/m² që ishte në 2023. Rritja ishte 16%. Pranë Parkut Olimpik në Tiranë, në një nga komplekset e reja që po ndërtohet, në muajin korrik 2024, çmimet e shitjes arritën nga 2,200 euro vlera minimale deri në 2,900 euro/m² vlera maksimale.
Në këtë zonë, çmimet e shitjes në 2023 variuan nga 2,300 deri në 2,600 euro/m². Rritja ishte 10%. Brenda Unazës së Tiranës, çmimet e shitjes së apartamenteve janë mbi 2,300 euro/m².
Rritje çmimesh ka pasur edhe në zonat periferike. Sipas agjentëve imobiliarë, rritja e çmimeve është ndikuar nga shtimi i kërkesës, pasi familjet e reja nuk arrijnë të përballojnë blerjen e shtëpisë në zonat qendrore. Në Kombinat, çmimet e apartamenteve në muajin korrik arritën 1,200 deri në 1,300 euro/m² nga 1,100 që ishin vitin e kaluar. Rritja nga 9 deri në 18%.
Në zonën e ‘Astirit’, çmimet u luhatën nga 1,200 deri në 1,300 euro për m² në vijat e para të ndërtimit, nga 1,250 euro/m² që ishte vjet. Në këtë zonë, çmimet janë rritur me 4%.
Në zonën e Freskut çmimet e shitjes së apartamenteve nga 900-1000 euro/m² kanë arritur në 1,100 euro/m². Rritja është rreth 11%. Në Paskuqan nga 850-900 euro/m², çmimet kanë arritur në 1,050 euro/m², për shkak të kërkesës së lartë sipas agjentëve imobiliarë. Ndërtuesit sërish kanë paralajmëruar rritje të çmimeve nga shtimi i kostos për detyrimin e taksës së infrastrukturës, ndërsa kërkesa mbetet e ulët.





