Autoritetet malazeze do të shqyrtojnë të gjitha opsionet për të parandaluar incidente të mëtejshme të lidhura me armët, duke përfshirë ndalimin e armëve në mbarë vendin, pasi një burrë që thuhet se kishte sulmuar me armë zjarri në qytetin e Cetinjes të mërkurën vrau të paktën 12 persona dhe plagosi rëndë katër të tjerë, tha kryeministri Milojko Spajiq.
Në mbledhjen (e ardhshme) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ne do të shqyrtojmë urgjentisht të gjitha opsionet, duke përfshirë një ndalim të plotë të posedimit të armëve”, citohet të ketë thënë ai, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
“Armët nuk mund të jenë në rrugë dhe në duart e atyre që mund të lëndojnë të tjerët. Unë do t’i kërkoj krerëve tanë të sigurisë që nesër të ofrojnë zgjidhje konkrete për sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shtuar Spajiq.
Policia e identifikoi vrasësin si 45-vjeçarin Aco Martinoviq.
E ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq thotë se Martinoviq filloi të shtënat pasi shpërtheu një sherr në lokalin ku ai ndodhej.
Policia thotë se ai qëlloi dhe vrau pronarin e lokalit, gruan dhe fëmijët e tij, si dhe anëtarët e familjes së tij pasi u largua nga lokali.
Policia dërgoi forcat e saj speciale për të kërkuar sulmuesin në Cetinje, që ndodhet rreth 30 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Podgoricë.
I dyshuari kreu vetëvrasje pasi policia e gjurmoi dhe e rrethoi, tha prokurori publik i vendit.
“Niveli i tërbimit dhe brutalitetit tregon se ndonjëherë njerëz të tillë … janë edhe më të rrezikshëm se anëtarët e bandave të organizuara kriminale”, ka thënë Sharanoviq.





