Viti i ri nis me një lajm të keq për personat e moshës së tretë që janë në prag te pensionit, pasi me ardhjen e muajit janar 2025 mosha e daljes në pension për gratë është rritur, teksa rritje ka njohur edhe vjetërsia në punë për të dyja gjinitë.
Kjo falë një reforme të ndërmarrë nga qeveria 10 vite më parë, që parashikonte një rritje graduale të viteve të daljes në pension dhe vjetërsisë në punë. Këto dy elementë lidhen drejtpërdrejt dhe me shumën e pensionit.
Kështu që një grua të dalë në pension gjatë këtij viti, duket të jetë në moshën 61-vjeçe e 10 muaj. Kjo pas ndryshimeve që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, duke parashikuar rritjen e daljes në pension me dy muaj çdo vit. Sipas projeksioneve, disa vite më vonë do të nisë rritja e moshës së pensionit dhe për burrat, duke bërë që në vitin 2056 mosha e daljes në pension për të dyja gjinitë të jetë 67-vjeç.
Edhe pse burrat nuk janë prekur direkt deri më sot nga rritja e moshës së pensionit, ata janë ndikuar nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Thënë më thjeshtë, nëse në dhjetor të vitit 2014 një burri i duheshin 35 vite vjetërsi në punë, nga 1 janari i këtij viti (2025) do t’i duhen 38 vite e 8 muaj.
Kjo vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me rritjen e moshës së daljes në pension, u rriten dhe vitet e vjetërsisë në punë. Kjo situatë nge pikëpyetje se sa vite do të mund ta gëzojnë pensionin të moshuarit në Shqipëri, dhe a janë ata në gjendje të punojnë deri në moshën 67-vjeçare nga 8 orë në ditë për të siguruar të ardhura të mjaftueshme jetësore?!
Vlen të theksohet se sipas censit 2023, në vendin tonë jetojnë më shumë se 700 mijë pensionistë. Largimi masiv i të rinjve në forcë pune ndikon drejtpërdrejt në të ardhurat e sigurimeve shoqërore, çka prek dhe skemën e pensioneve.





