Daniela Zisi
Pusteci,është bashkia më e vogël e Qarkut të Korçës dhe vendit,por gjithashtu edhe bashkia me buxhet më të vogël dhe më e varfër.
Në këtë zonë minoritare,banorët mbijetojnë përulësisht mes sakrificash dhe numri i tyre bëhet çdo vit më i vogël për shkak të emigracionit.
Mes varfërisë therëse që duket nga hedh sytë, shkëlqen deri në verbim margaritari i një peizazhi magjepsës dhe trashëgimisë historike dhe kulturore,të pashfrytëzuar për turizëm ose shfrytëzuar veç për propagandë dhe qëllime elektorale.
Me bujqësi,blegtori,më pak me peshkim,por edhe tregëti ndërkufitare jetojnë banorët e kësaj bashkie,të cilët masivisht janë në pamundësi për të paguar detyrimet;taksat dhe tarifat vendore.
Në bashkinë Pustec për vitin 2022 sipas Raportit të Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit,publikuar në vitin 2024, taksohen gjithsej 1430 familje,numër i cili shërben për planifikimin e taksave dhe tarifave vendore për kategorinë ” familjar”.
Në fund të vitit 2022 në bashkinë Pustec janë gjithsej 1291 familje debitore për një apo disa taksa dhe tarifa vendore,ku përfshihen,tarifa e shërbimit,pastrimit,ndriçimit,taksa e ndërtesës,truallit,tokës bujqësore.
Vlera e borxhit të këtyre familjeve në fund të vitit 2022 shkon në 13,481,985 lekë,nga të cilat 1183 familje për vlerën 2,277,583 lekë janë debitor të krijuar brenda vitit 2022.
Pra,nga 1430 familje të taksuara dhe tarifuara në vitin 2022,në fillim të vitit rezultuan debitore 1336 familje, ndërsa numri i familjeve debitore të krijuara brenda vitit 2022 është 1183 familje.
Raporti i KLSH konstaton se bashkia e Pustecit ka realizim të ulët të të ardhurave si pasojë edhe e numrit të lartë të debitorëve. Nga përpunimi i të dhënave të Sektorit të Taksave dhe Tarifave në bashkinë Pustec,rezultoi se ka nivel të lartë debitorësh,duke përfshirë biznesin,personat fizikë,familjarë,i cili ka ardhur në rritje.
“Në fund të vitit 2021 vlera e borxhit është 305,452 lekë dhe në fund të vitit 2022 borxhi ka shkuar në 357,192 lekë”- thuhet në raportin e KLSH.





