Daniela Zisi
Ndryshimet klimatike kanë ulur vit pas viti numrin e shpendëve ujorë dimërues në Liqenin e Prespës së Madhe. Situatën e kanë konstatuar grupet e ornitotologëve dhe specialistëve të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura,të cilët po zhvillojnë censusin e shpendëve ujorë dimërues për këtë vit. Rezulatatet e para të procesit tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar nuk ka ndryshime në llojet e specieve,por ka rënie të numrit të individëve,si pasojë kryesisht e ndryshimve klimatike. Popullatat e rosës laramane me çafkë dhe bajzës kanë pësuar rënien më të ndjeshme të numrit të individëve,ndërkohë që Prespa mbetet habitati kryesor i pelikanit kaçurrel.
Specialistët venë theksin tek ruajtja e habitateve të specieve të ndryshme,të cilët,në kushtet kur ato dëmtohen, shtegëtojnë në zona të tjera.
Për herë të parë këtë vit në census do të përfshihen edhe ujëmbledhësi i Moglicës dhe rezervuari i Shtyllës,si vende ku ka prezencë shpendësh.
Në shkallē vendi censusi po zhvillohet në 34 zona dhe paralelisht në 143 vende të botës.





