Sektori kundër krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet pas denoncimit të një oficere të sigurisë në një prej shkollave të mesme të qytetit të Korçës, për një faqe instagrami e cila publikonte përmbajtje bullizuese, denigruese dhe pornografike.
Pre e sulmit kibernetik nga faqja me administratorë anonimë kanë rënë nxënës të shkollave të mesme,por edhe 9 vjeçare të qytetit, shumica prej të cilave vajza.
Adoleshentët e moshës 14-18 vjeç tregojnë se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike hapet dhe mbyllet. Sipas tyre këtë herë veç bullizimit dhe denigrimit të bashkëmoshatarëve të tyre ,janë publikuar edhe video dhe foto me përmbajtje pornografike.
Denoncimi i rastit ka angazhuar strukturat e policisë së Korçës, Prokurorisë dhe sektorit të Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Pas ndërhyrjes së ekspertëve kibernetikë faqja është mbyllur dhe po vijojnë hetimet intensive oër të identifikuar administratorët e faqes dhe persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e këtyre materialeve.
Eksperti kibernetik Thanas Dimço e konsideron shqetësues krimin kibernetik për rajonin e Korçës, i cili kohët e fundit nuk targeton vetëm moshat madhore, por ka vënë në shënjestër edhe të miturit
Vetëm ditët e fundit ka pasur më shumë se 20 adoleshentë nga qyteti i Korçës, të dëmtuar nga sulmi kibernetik.
Pavarësisht se krimi kibernetik është në rritje, shqetësim mbetet mungesa e denoncimeve nga të miturit e prekur, po ashtu edhe familjarët e tyre.
Krimi kibernetik si një prej krimeve të reja me të cilin po përballet shoqëria, sipas ekspertëve të fushës,kërkon plotësimin e kornizës ligjore për ta bërë më efiçente luftën ndaj këtij krimi dhe për të shkuar më shpejt tek autorët





