Elon Musk ka ndarë në profilin e tij në X disa nga gjetjet dhe arsyetimet e Departamentit të tij për Efikasitetin e Qeverisë, të cilin presidenti i ShBA-së, Donald Trump, e ka ngarkuar për uljen e shpenzimeve në gjithë administratën shtetërore.
Si shembull të punës së tij deri tani, Musk përmendi disa “gjëra të çmendura” që dolën në pah vetëm gjatë një “hetimi sipërfaqësor të Administratës Amerikane të Sigurimeve Sociale” nga ekipi i tij.
“Kemi njerëz që janë 150 vjeç,” tha Musk më 11 shkurt. “A njihni dikë që është 150 vjeç? Unë nuk njoh, mirë. Ata duhet të jenë në Librin e Rekordeve Botërore Guinness… Mendoj se ndoshta janë të vdekur, supozoj, ose do të duhej të ishin shumë të famshëm.”
Sipas Musk, një tabelë nga baza e të dhënave e Administratës Amerikane të Sigurimeve Sociale përfshin mbi 20 milionë njerëz të moshës 100 vjeç e më shumë, dhe një person figuron si më i vjetër se 360 vjet.
Në një postim të 17 shkurtit në X, Musk tha se “do të ketë dhjetëra miliona njerëz që në sistemin e sigurimeve shoqërore janë të shënuar si ‘TË GJALLË’, por në fakt janë pa dyshim të VDEKUR, dhe kjo është një çështje e madhe.”
“Disa prej këtyre njerëzve do të kishin qenë gjallë para se Amerika të ekzistonte si shtet. Mendoni pak për këtë,” shkroi Musk dhe shtoi:
“Ndoshta ‘Twilight’ është i vërtetë dhe ka shumë vampirë që marrin përfitime nga sigurimet shoqërore.”
Në një tjetër deklaratë për këtë çështje, Musk tha se askush nuk e di saktësisht si funksionon sistemi i Administratës së Sigurimeve Sociale dhe theksoi se ka “mospërputhje të konsiderueshme” në të dhënat mbi pagesat midis këtij institucioni dhe Departamentit të Thesarit.
20 milion amerikanë janë mbi 100 vjeç,ja çfarë gjeti Elon Musk
1–2 minuta





