Shtesa natyrore e vendit (lindjet minus vdekjet) ishte pozitive vitin e kaluar për shkak se rënia e vdekjeve ishte më fortë se rënia e lindjeve. Në të gjithë vendin kishte 1178 lindje më shumë se vdekje, por në 7 qarqe të vendit shtesa natyrore ka qenë negative, sipas të dhënave demografike për vitin 2024 nga INSTAT. Nga 12 qarqet e vendit, Korça kishte rënien më të madhe të shtesës natyrore ku vdekjet ishin shumë më të larta se lindjet. Në qytetin juglindor, vitin e kaluar lindën 1155 foshnja, teksa humbën jetën 1929 persona, ose 774 më shumë se lindjet.

Fieri ishte qyteti i dytë më rënien më të madhe natyrore të popullsisë. Më 2024 në këtë qytet linden 1897 bebe, teksa humbën jetën 2481 veta duke bërë që shtesa natyrore të ishte negative me 584 persona. Në Vlorë numri i vdekjeve vitin e kaluar ishte 554 persona më i lartë se i lindjeve, në Berat kishte 368 vdekje më shumë se lindje, në Gjirokastër kishte 354 vdekje me shumë se lindje, në Shkodër 176 dhe në Elbasan 142.

Raportet tregojnë se popullsia e Shqipërisë do të vazhdojë të bjerë në dekadat e ardhshme. Raportet ndërkombëtare sugjerojnë se deri në vitin 2050, Shqipëria mund të humbasë 25% të popullsisë së saj. Rënia vjen prej nivelit të lartë të emigracionit në moshat e reja, duke ndikuar në tkurrjen e popullsisë aktive dhe në shtesën natyrore të vendit. Prej këtyre zhvillimeve mosha mesatare e popullsisë u rrit me 7,5 vite ndërmjet 2011 dhe 2023 kur u zhvilluar dy censet. /Monitor

,

Lajme Te Ndryshme