Maliq: Zhvarroset trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili humbi jetën në spitalin e Tiranës më 8 janar të këtij viti.
Ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të shoqëruar nga prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton rastin, në prani edhe të familjarëve të 12-vjeçarit, kanë zhvarrosur trupin e tij, i cili do t’i nënshtrohet autopsisë.
Ekspertët pritet të marrin mostra nga trupi i 12-vjeçarit, të cilat më pas do të dërgohen për ekspertim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Mjekët e QSUT-së konkluduan se Leo Sadiku ka ndërruar jetë si pasojë e miokarditit akut, ndërsa familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime, duke akuzuar mjekët e QSUT-së për neglizhencë në trajtim.
Fillimisht, pas vdekjes së 12-vjeçarit, familjarët refuzuan kryerjen e autopsisë, por më pas, me nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës, e cila është kompetente për rastin, organi procedues vendosi kryerjen e autopsisë.
Reagimet e familjarëve kanë qenë të vazhdueshme, duke protestuar dhe duke kërkuar që hetimi të bëhet i plotë dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së 12-vjeçarit nga fshati Pocestë i Maliqit.

, ,

Lajme Te Ndryshme