Nga: Eduart Bardhushi
“Lumja ti moj Korçë, lule që i le pas shoqet… dhe mbete vetë pa erë, pa ngjyrë, me rininë në avion e me pleqtë në kafene.”
Korça, dikur qyteti simbol i kulturës, i rregullit dhe krenarisë qytetare, sot është kthyer në një album të vjetër fotografish.
Rrugicat e pastra me kalldrëm, arkitektura elegante janë ende aty, por mungon zëri i atyre që dikur i jepnin shpirt këtij qyteti: TË RINJTË!
Fatkeqësisht Korça është zbrazur me të njëjtin ritëm që janë mbushur ambasadat dhe aeroportet.
Shtëpitë e dikurshme me dritare të hapura tani kanë grila të mbyllura prej vitesh dhe dyert nuk hapen më për miq, por hapen vetëm për të nxjerrë ndonjë të ardhur nga turistët verorë dhe kaq.
Rrugët pastrohen dhe rregullohen për sezonin, fasadat lyhen, por asgjë s’mund të maskojë boshësinë.
Të rinjtë nuk shohin më të ardhme këtu, ata që dikur ëndërronin të hapnin një biznes në qendër, sot janë në Gjermani duke dërguar euro në shtëpi.
Shkollat kanë më shumë mësues se nxënës, ndërsa universiteti është kthyer në formalitet për disa diploma që presin nisjen e dokumenteve për jashtë.
Ironia është se Korça vazhdon të quhet “elitare”, e pastër, “model”. Por për kë?
Për ata që nuk jetojnë më këtu? Apo për ndonjë delegacion që vjen për të parë një qytet që jeton vetëm në letër?





