Tashmë është zyrtare. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë divorcuar me vendim Gjykate pas 28 vitesh martesë. Meta, i cili ndodhet në burgun 313 në Tiranë, ëshë shoqëruar nga Policia e Burgjeve dhe ka marrë pjesë në seancë, ndërsa Kryemadhi nuk ka qenë e pranishme.
Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës Ilir Meta dhe të paditur Monika Kryemadhi, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi: Zgjidhjen e marteses midis paditesit Ilir Meta dhe te paditures Monika Kryemadhi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ish-presidenti i Republikës Ilir Meta, njoftoi më 20 qershor 2024 se kishte nisur procedurat e divorcit me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin si dhe kishte depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesën e divorcit.
Në një deklaratë për mediat në qershor të vitit të kaluar, Meta sqaroi edhe arsyen e vendimit. Duke i kërkuar falje tre fëmjiëve të tij, Meta sqaroi se krisja në marrëdhënien e tij me Kryemadhin kishte nisur që në vitin 2019, pas vendimit për djegien e mandateve. Ai theksoi se nuk po ndahet nga Kryemadhi për një grua tjetër.
“Ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time, është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauza të mëdha që janë etike për vendin. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të forte që nga vendimi i saj si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve. Qëndrimet e saj krejtësisht në krah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion duhet të merrrnin fund. Mirëkuptoj çdo reagim emocional të gjithëkujt. Detyrimet e mia lidhen me kontributin e qindra mijëra njerëzve që kanë besuar te unë. Ky vendim i imi nuk lidhet me raportet me të si grua apo nënë e tre fëmijëve tanë. Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. U kërkoj shumë ndjesë tre fëmijëve të mi për shqetësimet që u kam krijuar”, deklaroi Meta vitin e kaluar.
Prej 21 tetorit 2024 Ilir Meta ndodhet në burg. Ai po hetohet në SPAK për çështjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetim pasuror./vizionplus.tv





