Me këngë e valle, ti harojmë këto halle!
Unë e adhuroj muzikën popullore. Nuk ia them fare për të kërcyer, por i adhuroj ata që kërcejnë. Për këtë arsye e shijova edhe hapjen e fushatës nga Partia Socialiste në Sheshin “Skënderbej”. Ishte një kënaqësi e madhe të shikoje qeveritarët, deputetët dhe kandidatët për deputet ndërsa kërcenin në grupe. Na nxorri mallin e grupeve foklorike që parakalonin në Festivalin e Gjirokastrës, njëherë e një kohë, kur këndonte populli.
Të qeshur, të lumtur, të veshur bukur dhe firmato, pa dyshim.
Populli duhet t’ju shikojë pikërisht kështu. Sepse me muzikë e hare ai harron problemet që ka. Ndaj unë, modestisht, do të sygjeroja që të planifikoni një axhendë koncertore.
Të kerceni, psh, para spitalit onkologjik, të gëzojnë edhe ata një ditë, se ngelën duke u ankuar për mungesën e ilaçeve. Madje të shpërndaheni 12 grupe, 12 yje, në 12 spitale. Do të ishte fantastike.
Bëni një koncert edhe në Maliq, të gëzojnë edhe fshatarët që mbetën pa mollë këtë vit nga bora e pabesë e prillit. U hapën së qari dhe ata.
Po edhe në Berat mirë do ishte, tek ata që hedhin luleshtrydhet dhe domatet çdo vit në rrugë. Nëpër fshatra, ka njerëz që kërkojnë tu shtrohet rruga. Edhe ata e duan një koncert. Po ju doli koha, edhe pensionistëve bëjani një koncert. Ata juve ju kanë në mendje e në zemër, por edhe ata kanë nevijë të gëzojnë. Pale po të mblidhni ata pleq që kanë mbetur vetëm në shtëpi, ngaqë u kanë ikur fëmijët….
Sepse muzika është ilaçi i shpirti, edhe kur ai vuan.
Golikun aty e keni, mbajeni mirë, sa herë duhen këngë ai e ka gati muzikën, i ndërron vetëm tekstin.
Si tha ai qëmoti? Populli do aheng, aheng ore jepi. Në vend që të ankohet, vëre të kërcejë.
Mentor Kikia





