Me urdhër të Prokurorisë së Korçës,në kuadër të dosjes së vrasjes së Egli Progës është proceduar dhe arrestuar Andi Shkullaku,duke e çuar në 5 numrin e personave të përfshirë në ngjarje. Shkullaku akuzohet për moskallëzim krimi dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore. Sot Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Shkullakun. Ndërkohë,për Leonidha Guçe,Prokuroria ka formuluar akuzën e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim.
Njoftimi I Prokurorisë së Korçës:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM KORÇË
Vrasja e shtetasit E.P. në Pogradec, Prokuroria Korçë merr në hetim një tjerër person për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Sh., i dyshuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’ parashikuar nga neni 300 dhe 305/b i Kodit Penal, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08.2024 ku shtetasi E.P. humbi jetën si pasojë e goditjeve të marra.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1466, të datës 12.08.2024, regjistruar për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ ndaj shtetasit në hetim D.M., të dhëna të reja kanë dalë në dritë pas rrëfimit të të pandehurit dhe ballafaqimit të të akuzuarve të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga hetimet, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, arriti të zbulojë se viktima, shtetasi E.P., është goditur dhunshëm jo vetëm nga shtetasi D.M., por edhe nga shtetasi L.G. i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Për rrjedhojë, ky shtetas, aktualisht me masë sigurie ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’, tashmë është nën hetim për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 e 25 i Kodit Penal.
Në analizë të akteve të administruara në këtë procedim penal, rezultoi se arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Sh., u bë në përputhje me kriteret ligjore, pasi duke qenë në cilësinë e dëshmitarit okular të ngjarjes së datës 10.08.2024, ku ka mbetur i vdekur viktima shtetasi E. P., ai me dashje dhe me qëllim ka mbuluar një prej autorëve të kësaj ngjarje, e më konkretisht shtetasit L. G. me të cilin kishte marrëdhënie të ngushta shoqërore. Ky shtetas, jo vetëm që nuk ka kallëzuar krimin e ndodhur, por ka dhënë deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, duke mohuar në mënyrë kategorike se ndaj viktimës ishin kryer veprime të dhunshme në brendësi të lokalit “Stropcka”.





