Emisioni “Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës një rast mashtrimi në rrethin e Kurbinit. Një 49 vjeçar denoncoi në emisionin investigativ se kreu i PS-së në qytezën e Mamurrasit në vitin 2018, i ka marrë plot 2 mijë euro për ta punësuar.

Dilaver Tafa ka qenë kryetar i PS-së së Mamurrasit nga vitit 2011 deri në 2022, teksa dhënia e parave ka qenë në vitin 2018. Nga ky vit deri në ditën që Fiksi u interesua, ai s’i kthente paratë qytetarit.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një 49 vjeçar nga Kurbini, i cili tha se në vitin 2018 ka takuar një person i quajtur Dilaver Tafa, i cili i ka thënë se do t’a punësonte. Dilaveri ka qenë kryetar i PS-së së Mamurrasit për një kohë të gjatë. “Më tha se do t’më punësonte. Unë isha në gjendje shumë të keqe ekonomike dhe i kam marrë borxh ato para’. Më gënjente vazhdimisht, e takoja dhe më thoshte jo sot e nesër. I paguaja edhe dreka-darka dhe asnjëherë s’më mbaroi punë” thotë qytetari.

Sipas tij, Dilaver Tafa vazhdimisht e gënjen për t’i kthyer paratë edhe pse ato ende i ka borxh qytetari. “E kam takuar me dhjetëra herë dhe vijon të më gënjejë. Jo sot e jo nesër. Unë ato lekë i kam edhe sot borxh” thotë ai. Ai shton se e ka takuar disa herë Tafën, madje ka edhe regjistrime të këtyre bisedave, ku Tafa pranon se paratë do t’ia kthejë, por tani “është fushatë dhe kohë zgjedhje dhe sa të mbarojnë do t’ia kthejë”.

Qytetari e telefonon në prani të grupit të Fiks Fare, por Dilaver Tafa i thotë se “ndodhem në Mirditë, nuk jam në qytetin e Laçit”. Pas kësaj përgjigje, gazetarët e telefonojnë dhe ndryshe nga sa i tha qytetarit, ai përgjigjet se “jam në qytetin e Laçit”.

Lajme Te Ndryshme