“Atdheu është gjuha ime”, thotë një poet helen.

Gjuha është rrënjë, nuk është strukturë, sigurisht kur gjendet në terrenin e saj fizik, të natyrshëm!

Një prolog i shkurtër ky, për logodiaretë parlamentare, për fjalëshumtët dhe fjalëthatët politikanë (sigurisht me përjashtime vlerësuese në kuadër të relatives, në përgjithësimin e individëve dhe rrethtanorëve, kjo edhe për të mos përmbysur ligjet e natyrës), tek të cilët pra, “gjuha” nuk është rrënja!

Më të privilegjuarit e mundësisë për t’u shprehur dhe për të përdorur gjuhën, apo për t’u ngritur mbi “rrënjën”, apo për t’u mbështetur në të, nuk e përdorin atë, nuk gjenden mbi të, ndoshta edhe e kanë harruar!

Nga foltorja e Parlamentit më vjen keq që gjuha, duket të mos jetë në terrenin e saj fizik, të natyrshëm!
Më krijohet përshtypja e një arene përplasjesh, mikrominutazhe që konsumohen në përsëritje frazash, faktesh, ngjarjesh, një pazar, apo panair kotësish, kaq shumë larg rrënjës!

Nuk më ka kapur asnjë atdhetarizëm, as ndonjë tendencë vetizolimi në doza pesimizmi, apo egërsi, epërsi dhe revansh për gjykim!
Thjesht, shumë thjesht, dëgjoj parlament, ndjek dhe dua të nxë, të përftoj mes dëgjimit të të përzgjedhurve, formën sesi qeverisemi, drejtohemi, ne, ju, ata (ne), por në Parlament nuk e gjej dot “gjuhën” (rrënjën, atdheun)!

Jeni qytetarë që duhet të mendoheni ju parlamentarë, jeni qytetarë të votuar, qytetarë që keni marrë përsipër kalvarin e historisë, por më duket, ndoshta jam e bindur, se ju ndan një “purgator” nga gjuha!

Ide, vullnet, ndërgjegje, civilizim, këto gjenden në rrënjë!

Ju lutem futeni “gjuhën” e shqiptarit në Parlament!
Kuvendi i Shqiptarëve kërkon gjuhën e tyre!

“Atdheu është gjuha ime”, tha poeti helen!
(29 nëntor 2013)

Lajme Te Ndryshme