Në një shtet ku qeveria vjedh dhe tjetërson pronën, nuk bëhet fjalë për demokraci dhe të drejtë.
Dëgjova PD-në që thotë se do u japë ish pronarëve (sepse kështu i quan pronarët legjitimë) si kompesim, toka/prona shtet.
Lamja “legjendari” i pronave në epokën “Rilindje” na thotë se, në kohën e PD dhe PS pronat shtet janë gllabëruar, siç janë gllabëruar me ligj pronat e pronarëve legjitimë.
Për rrjedhojë i themi PD-së se me ligjin 7501 u vodh pronari legjitim, tani me këtë sugjerimin për kompesim, doni të vidhni edhe shtetin?
***
Ndërkohë, PS me Lame koleksionistin pohon në ligjëratë të drejtë se çfarë ka ndodhur më parë dhe në periudhën e tij.
Korrupsioni gëlon, pronat vidhen, ndërtimet pa leje vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe Agjencinë që vrau pronën dhe Legalizoi vjedhësit dhe ndërtimet pa lejë, ALUIZNI që krijoi PD-ja, e përdorën dhe e sofistikuan socialistët, duke i dhënë dërmën pronës dhe ilegalëve hajdutë.
***
Shqipëria është vendi ku ti duhet të vjedhësh për t’u bërë pronar.
Duhet të ndërtosh pa leje, që të legalizohesh.
Shqipëria është vendi ku me korrupsion bëhet boss ai që rrëmben pronën dhe nëpunësi civil që ia bën atë legjitime. Nuk ka rëndësi kujt ja ke vjedhur privatit apo shtetit, mjafton të tregosh që ke këllqe të vjedhësh.
***
Pashë kupolat e kandidimeve dhe drejtimit të partive politike, mëmën dhe dadon e ALUIZNI-t dhe janë shumica punonjës kadastre, hipoteke, të kësaj Agjensisë që legalizon të paligjshmen, thuajse në të gjitha qarqet.
***
Bënë vetting në gjyqësor, vallaha, për të spastruar drejtësinë, që me vendime gjyqësore tjetërsuan pronën.
Ish gjyqtarë dhe prokurorë janë kandidatë për deputetë.
Bënë vallaha dekriminalizim në politikë, shumica e politikanëve që janë në SPAK, të gjithë kandidatë për deputetë.
***
Ku është tjetërsuar prona, individit i është rrëmbyer dinjiteti, i është cënuar jeta, në thelb është ekzekutuar.
***
Votoni, por hapni sytë të gjeni kandidatë të papërlyer majtas dhe djathtas! Ka tek-tuk në çdo qark.
Asnjë votë politikanëve të korrupsionit, hajdutëve të pronës, gjyqtarëve të padrejtësisë, shërbëtorëve të krimit.
Opinion: Asnjë votë hajdutëve të pronës,shkruan Mariela Stefanllari
1–2 minuta





