Pas tre sezonesh në krye të ekipit të parë të volejbollit të femrave të Skënderbeut, trajneri Orlando Koja ka njoftuar vendimin e tij për të ndërprerë bashkëpunimin me klubin.
Nën drejtimin e Kojës, skuadra përjetoi një cikël të jashtëzakonshëm, të shënuar nga arritje të rëndësishme sportive dhe një rritje të vazhdueshme teknike dhe organizative.
Bilanci i titujve të fituar në këto tre vite flet vetë:
•1 Kampionat Kombëtar
•2 Kupa të Shqipërisë
•2 Trofe Liga Gjergj Kastrioti
•1 Kupë Pavarësie
•2 Kupa Federata
Një rrugëtim i mbushur me suksese dhe vlerësime, që ka konsoliduar Skënderbeun si një ndër realitetet më të suksesshme të volejbollit shqiptar në vitet e fundit.
“E përfundoj këtë eksperiencë me krenari dhe mirënjohje. Kanë qenë tre vite intensive, të përjetuara me pasion dhe profesionalizëm. Falënderoj lojtaret, stafin, drejtuesit e Bashkisë Korçë, gjithë punonjësit e Pallatit të sportit dhe mbi të gjitha tifozët e mrekullueshëm korçarë për mbështetjen e madhe dhe besimin e vazhdueshëm,” – u shpreh i emocionuar Orlando Koja.
Trajneri largohet nga klubi me bindjen se ka lënë një gjurmë të rëndësishme, i gatshëm për të përballuar sfida të reja në karrierën e tij profesionale.
Ervin Baku





