Një episod mizor tregon qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj ish-mikut dhe njeriut që e kishte ndihmuar të futej në Partinë Komuniste. Më 16 korrik 1980, gjatë një vizite në Korçë te Miha Lako, një ndër anëtarët e parë të grupit komunist të Korçës, Hoxha rrëfeu kërkesën e Tashkos drejtuar atij, për t’u liruar nga burgu dhe për t’u marrë vetëm me punët e shtëpisë. Por Enveri urdhëroi Kadri Hasbiun që “ta fusnin në birucën më të errët të Burrelit”.
Koço Tashko, ishte një nga eksponentër kryesorë të lëvizjes komuniste shqiptare. I lindur në Egjipt, në një familje patriotike, vëllai i Tefta Tashko, ai studioi në Harvard dhe u përfshi në lëvizjen patriotike në SHBA. Më pas, si simpantizant i ideve komuniste, shkoi në Moskë, dhe më 1938 u dërgua me mision nga Komiterni në Shqipëri për të ndihmuar në themelimin e Partisë Komuniste.
Pas Luftës, mbajti detyra të rëndësishme në shtetin komunist, përfshirë postin e ambasadorit të Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik (1946–1947), një nga pozicionet më të rëndësishme në diplomacinë e kohës. Por pas prishjes së marrëdhënieve me BS, Tashko u përjashtua nga Partia në vitin 1960 dhe u akuzua si element pro-sovjetik.
Ai kaloi tetë vjet internim dhe dhjetë vjet burg në Burrel, ku vdiq në vitin 1984, i harruar nga sistemi që kishte ndihmuar të krijohej.





