Një atentat me armë zjarri i mori jetën 29-vjeçarit Ermir Dedja në orët e para të mëngjesit të së martës në lagjen nr. 18 të qytetit të Durrësit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:50, kur Dedja po ecte në këmbë në një rrugë dytësore të zonës.
Persona ende të paidentifikuar dhe të dyshuar të maskuar e qëlluan disa herë me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë dhe transportimit në spital, 29-vjeçari nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë pak më vonë si pasojë e plagëve të marra.


Shërbimet e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje, ku gjetën dhe sekuestruan disa gëzhoja, ndërsa rrethuan vendin ku ndodhi ngjarja për të kryer veprimet e para hetimore.
Në ndihmë të hetimeve janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave përreth, si dhe janë duke u pyetur të afërm e persona të njohur të viktimës.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ermir Dedja ishte një emër i njohur për policinë. Në vitin 2015 ai ishte arrestuar si i dyshuar për shitjen e një sasie lënde narkotike dy shtetasve nga Hasi, që dyshohej se do ta trafikonin në Kosovë. Ndërsa dy vite më pas, në 2017, Dedja ra sërish në prangat e policisë, si bashkëpunëtor  në një plagosje të ndodhur në Shijak.
Hetimet vijojnë në mënyrë intensive për të hedhur dritë mbi motivet dhe për të çuar para drejtësisë autorët e këtij atentati.

Pamjet e vrasjes ne Durres

Lajme Te Ndryshme