Kandidatja e listës së hapur të PS të Qarkut të Korçës, Eni Zake,e cila nuk mundi të siguronte mandatin e deputetes me 7.500 votat e mbledhura,ka falenderuar mbështetësit dhe qytetarët për besimin,teksa ka kujtuar ata që marrin vendime në PS,se përfaqësimi i ndershëm,nuk është luks.

“Me përfundimin e numërimit të votave, ndjej nevojën të shpreh mirënjohjen time të thellë për rreth 7,500 banorë të qarkut të Korçës që besimin tek unë e treguan me votë. 

Kjo votë përfaqëson miqësi, respekt, mirënjohje dhe shpresë për modele përfaqësimi në politikë.

Jam thellësisht e përulur dhe krenare për këtë mbështetje dhe dashuri të jashtëzakonshme.

Fushata jonë ishte e qetë, qytetare, transparente dhe vullnetare. Me shumë zemër dhe besim, jo me premtime boshe dhe as për përfitime personale, por për të mirën e përbashkët.
Zgjuam votën e atyre që kishin humbur besimin, përfshirë edhe socialistë e demokratë të zhgënjyer. Maksimizuam çdo votë nga çdo komunitet pa ngjyrë politike. Edhe kjo është një arritje që e mbaj me shumë krenari.

Faleminderit me përulësi çdo shqiptari të diasporës që më mbështeti duke ndarë me mua besimin tek vlerat dhe qëllimet tona të përbashkëta!

Faleminderit grupit të mrekullueshëm të djemve dhe vajzave vullnetarë që u bashkuan në këtë fushatë. Më ndihmuan me përkushtim, më dhanë forcë me energjinë e tyre dhe shtuan besimin tek unë dhe Partia Socialiste!

Faleminderit Kryetarit të Partisë Socialiste, Kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit politik të Qarkut Niko Peleshi, që më dhanë mundësinë dhe besimin për të qenë sërish pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste! Shpresoj ta kem merituar dhe shpërblyer këtë besim.

E nisa këtë garë si çdo angazhim në jetën time; me përkushtim, përgjegjësi dhe besim se çdo gjë e nisur duhet çuar deri në fund.
Sot ndihem më e vetëdijshme dhe e angazhuar për të mos ndalur kurrë së punuari për një jetë më të mirë për çdo banor të qarkut tim.

Kjo fushatë më rikujtoi se përfaqësimi i ndershëm nuk është luks, por domosdoshmëri. Përfaqësimi i munguar penalizon qytetarët. Ne kemi ende rrugë për të bërë si shoqëri, për të vlerësuar thelbin e kësaj të drejte universale.

Jam krenare që atributin e të qenit “e zgjedhur” e kam përdorur në favor të njerëzve dhe të vendit, pa i dhënë asnjë ditë dhe asnjëherë, as edhe një kosto të vetme socialistëve të thjeshtë.

Ky është rrugëtimi im politik, me përgjegjësi dhe vullnet për të dhënë kontributin që kam premtuar: të them atë që bëj dhe të bëj atë që them”- përfundon reagimin Zake.

Lajme Te Ndryshme