Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një artikull i firmosur nën emrin Helen Bratt me aludime për një revoltë të brendshme në PD, u bë viral në mediat shqiptare. Por dyshimet mbi autorësinë e Bratt dhe teknikat e shpërndarjes së artikullit ngrenë pikëpyetje për një operacion të qëllimshëm dizinformimi.
Një javë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në redaksinë e vogël të portalit “Argumentum” në Tiranë mbërriti një email nga një person i identifikuar si Helen Bratt, bashkë me kërkesën për të publikuar një artikull të saj të atashuar si shtojcë.
Emailin e hapi botuesja e “Argumentum”, Marjana Doda, e cila vendosi që ta publikojë artikullin pasi e lexoi atë.
Doda nuk e njihte autoren, por i tha BIRN se pas një verifikimi të shpejtë në internet, gjeti gjurmë të një artikulli të publikuar më herët prej saj. Ajo i qëndroi vendimit për të publikuar edhe pasi kërkesa për të pasur një fotografi dhe një biografi të shkurtër nga autorja për të shoqëruar artikullin mbeti pa përgjigje.
“Për mua primare në atë moment ishte cilësia e shkrimit, i cili kishte një përmbajtje korrekte pa marrë parasysh asnjë interes politik,” tha Doda.
Megjithatë, diçka doli jashtë rutinës së punës së Dodës.
Botuesja e “Argumentum” nuk e fsheh habinë se si artikulli i publikuar fillimisht në faqen e saj periferike u shpërnda si “kërpudhat pas shiut” në një dyzinë platformash të tjera mediatike me audiencë shumë herë më të lartë se e saja – përfshirë gazetën “Tema”, Top Channel apo Shqiptarja.com. Në gjashtë vitet e karrierës së saj si botuese, kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.
Artikulli me titull ‘Një cirk tragjik: Figurat e PD-së reagojnë ashpër pas dështimit të fushatës së mbështetur nga LaCivita” aludon për një revoltë brenda radhëve të Partisë Demokratike pas humbjes dërrmuese të zgjedhjeve të 11 Majit përballë kryeministrit Edi Rama.
Shkrimi targeton kryetarin e PD, Sali Berisha dhe konsulentin e kontraktuar prej tij në SHBA, Chris LaCivita, përmes citimeve të deputetëve anonimë demokratë apo informacione të tjera të marra nga burime të hapura. Artikulli u lexua me qindra herë në faqet ku u ripublikua dhe gjeneroi dhjetra komente. Por në një moment, njëri prej komentuesve u kujtua të pyeste: Kush është autorja se nuk po e gjej në Google”?
Në fakt, Helen Bratt rezulton të jetë po aq anonime sa burimet që ka cituar dhe vetëshpallja e saj si analiste e politikës në Ballkan është e mbuluar me hije. Emri i saj është i atashuar me tre artikuj në gjashtë vitet e fundit – të tre për politikën e brendshme në Shqipëri dhe me përmbajtje kontroverse.
Duke u bazuar në tekstin e publikuar, teknikën e shpërndarjes dhe mungesën e kredencialeve të autores, ekspertët e medias ngrejnë dyshime se pas emrit të Bratt fshihet një operacion dizinformimi.
“Është një operacion tipik i manipulimit të opinionit publik për tema politike. Është e zakonshme që artikuj të tillë publikohen fillimisht në faqe shumë pak të njohura, ose tërësisht anonime,” thotë Erlis Çela, profesor i medias dhe komunikimit në universitetin “Beder” në Tiranë.
E kontaktuar nga BIRN përmes emailit nga nisi shkrimin, e ashtuquajtura Helen Bratt refuzoi të hidhte më shumë shumë dritë mbi biografinë e saj dhe nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë në video-call deri në publikimin e këtij shkrimi.
Në emaile pretendohet se ajo ishte lektore dhe analiste e çështjeve të Ballkanit, pa dhënë informacion mbi universitetin ku punonte apo punë të saj të mëparshme, me përjashtimin e një linku të një opinioni të publikuar në vitin 2019 nga gazeta greke “Protothema”.
“Të gjithë artikujt e mi bazohen në deklarata publike dhe citime nga mediat, të mbështetura nga njohuritë dhe komentet e burimeve parësore të besueshme,” pretendohet në përgjigje, ku paralajmërohet gjithashtu se “një artikull tjetër po shkruhet për Shqipërinë”.

“Fake Persona Journalism” (gazetarisë me persona të rremë). E përbashkëta e këtyre rasteve, sipas tij, është fabrikimi i një identiteti të rremë, kryesisht me ngjashmëri me emrat perëndimorë për t’i dhënë “më shumë legjitimitet dhe besueshmëri përmbajtjes së prodhuar”.
“Skema kërkon përdorimin e një faqeje pothuajse anonime dhe më pas artikulli i rremë amplikfikohet nga media lokale, të cilat nuk e verifikojnë qëllimisht identitetin e autorit,” përfundoi ai./ BIRN





