Ambasadori i BE Silvio Gonzato ka komentuar nga Korça procesin zgjedhor të 11 majit dhe akuzat e PD për manipulim dhe pavlefshmëri të procesit.
Pyetja 1: Si i vlerësoni zgjedhjet e 11 majit sipas raportit të OSBE/ODIHR?
Silvio Gonzato: Nuk jam i sigurt nëse rekomandimet përfundimtare janë publikuar, por sigurisht që kam ndjekur ato paraprake. Ka pasur një deklaratë shumë të qartë edhe nga Brukseli. Dua të nënvizoj një element thelbësor: është koha që qeveria shqiptare dhe parlamenti të miratojnë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që adreson të gjitha rekomandimet e mëparshme dhe aktuale të OSBE/ODIHR. Përgjegjësia për këtë reformë bie mbi qeverinë, e cila i ka numrat për ta realizuar. Kjo është edhe një pritshmëri e qytetarëve shqiptarë, në kuadër të rrugëtimit të vendit drejt anëtarësimit në BE.
Pyetja 2: Çfarë mendoni për standardet e zgjedhjeve?
Silvio Gonzato: Raporti i OSBE/ODIHR ofron një pasqyrë të qartë mbi zhvillimin e zgjedhjeve. Ato janë njohur si në përputhje me standardet, edhe pse janë evidentuar çështje si përdorimi i burimeve publike. Raporti gjithashtu vlerëson administrimin e procesit zgjedhor, gjë që e konsideroj pozitive. Prandaj, theksoj nevojën për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse. Dua të vlerësoj punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, për bashkëpunimin e tyre efektiv.
Pyetja 3: Qëndrimet e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve – a mund të ndikojnë në rrugën drejt BE-së?
Silvio Gonzato: Çdo parti që mendon se ka pasur parregullsi ka të drejtën dhe detyrimin t’i raportojë ato pranë institucioneve përgjegjëse. Ky është procesi demokratik që duhet ndjekur. Megjithatë, më gëzon që të dyja palët politike kanë shprehur disa herë angazhimin e tyre ndaj procesit të integrimit. Shpresoj që ky angazhim të përkthehet në vullnet konkret për të çuar përpara reformat që i shërbejnë integrimit europian të Shqipërisë.





