Katër parti opozitare greke të krahut të majtë i kanë bërë thirrje qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis të “ndërpresë bashkëpunimin ushtarak me shtetin e Izraelit dhe të dënojë në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje krimet e kryera nga shteti i Izraelit kundër popullit palestinez”.

Mediat greke bëjnë të ditur se deklarata e përbashkët mban firmat e partive Syriza, KKE, Nea aristerà (‘E Majta e Re’) dhe Plefsi eleftherias (‘Rruga e Lirisë’).

Pjesë nga deklarata e partive opozitare greke:

Të gjitha operacionet ushtarake nga Shteti i Izraelit në Gaza tani duhet të ndalen dhe duhet të ketë një armëpushim.

Të gjitha kanalet humanitare duhet të hapen tani në mënyrë që ndihma, uji, ushqimi, ilaçet, materialet sanitare dhe mjekët të dërgohen menjëherë për të adresuar urinë e palestinezëve.

Qeveria greke duhet të dënojë në mënyrë të qartë krimet e shtetit të Izraelit kundër popullit palestinez, kundër punëtorëve dhe vullnetarëve, mjekëve dhe infermierëve, kundër organizatave dhe misioneve humanitare që përpiqen të sjellin ndihmë, si dhe kundër personelit të ndihmës humanitare të OKB-së.

Qeveria greke duhet të ndërpresë bashkëpunimin ushtarak me shtetin e Izraelit.

Vendimi unanim i Parlamentit të vitit 2015 duhet të zbatohet menjëherë dhe shteti palestinez duhet të njihet në kufijtë e vitit 1967 me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Të ftohet, nën përgjegjësinë e Kryetarit të Dhomës, Presidenti i Autoritetit Palestinez, z. Mahmoud Abbas, në Parlamentin Grek, me qëllim informimin e popullit grek mbi situatën në Rripin e Gazës dhe në territoret palestineze në tërësi.

Lajme Te Ndryshme