Korçë – Edhe këtë vit, qeveria ka hapur skemat mbështetëse për bujqësinë, por realiteti në terren tregon një histori të vjetër me emër të ri: premtime të mëdha dhe ndihmë qesharake. Për të pestin vit radhazi, fermerët dorëzojnë dokumenta, presin në radhë, dhe aplikojnë për mbështetje që në shumë raste nuk mjafton as për pleh kimik, jo më për zhvillim të qëndrueshëm.
Rreth 13 mijë fermerë nga juglindja e vendit kanë aplikuar këtë vit në tetë skema mbështetëse, por shumica prej tyre do të përfitojnë pak më shumë se asgjë. Qeveria duket se ka zgjedhur të ndajë qindarka, ndërkohë që fermerëve u duhen investime serioze për të rritur prodhimin, ulur kostot dhe përmirësuar cilësinë e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Në fshatin Rrëmbec të bashkisë Maliq, blegtorët janë detyruar të bashkohen për të përmbushur kriterin e numrit minimal të krerëve, në mënyrë që të aplikojnë për 10 mijë lek për çdo kokë bagëtie – një shumë që, në kohët e sotme, vështirë se mjafton për një thes koncentrat.
Në orët e fundit të aplikimeve, Drejtoria e Bujqësisë në Korçë ishte ende e mbushur me fermerë që dorëzonin dokumentat për skemat e naftës apo blegtorisë – një pamje që më shumë ngjason me një garë për mbijetesë, sesa me një politikë zhvillimi rural.
Skema më e kërkuar është ajo e naftës për bujqësinë, me mbi 10 mijë aplikime. Kjo tregon qartë se, për fermerët, karburanti i lirë është një nevojë urgjente, por edhe këtu, përfituesit mbeten një përqindje e vogël krahasuar me nevojën reale në terren. Interes ka pasur edhe për skemat e blegtorisë, bletarisë dhe të imtave.
Qeveria vazhdon të shpallë suksese me zë të lartë, por në terren dëgjohet vetëm zëri i zhgënjimit të fermerëve, të cilët çdo vit përballen me një realitet të hidhur: subvencione që nuk i ndihmojnë të rriten, por vetëm t’i mbajnë gjallë… me vështirësi,ndërsa prodhimi përfund në kanale për shkak të politikave që penalizojnë fermerin vendas.
Zefiri.net do të vazhdojë të flasë për të vërtetat që heshten.
Nëse edhe ti i bashkohesh shqetësimit të fermerëve të Qarkut të Korçës,shpërnda këtë shkrim!
Zefiri.net. Fjala që zbulon të vërtetën





