Pasioni për dijen nuk ka moshë dhe asnjë kufizim tjetër. Një 74 vjeçar nga Kamza iu bashkua sot më mëngjes grupit të nxënësve të shkollës së mesme në Kamëz,për të hyrë në provimin e anglishtes.

Skënder Cena më në fund do plotësoi sot ëndrrën e tij të jetës,për të marrë diplomën e shkollës së mesme.

I lindur më 8 nëntor 1951, Skënderi është një shembull frymëzues i vullnetit dhe këmbënguljes. Në vitin 2016, ai përfundoi mësimet në ciklin part-time të Shkollës së Mesme Profesionale Kamëz, duke kaluar të gjitha provime,me përjashtim të njërit, gjuhës së huaj.

Pas gati një dekade, ai vendosi të mos e lërë pezull këtë kapitull. I vetëdijshëm se diploma kërkon edhe kalimin e këtij provimi, Skënderi aplikoi me formularin A1Z për të marrë pjesë, duke kërkuar edhe asistencë për shkak të problemeve me shikimin.
Sot ai është sërish në klasë, me stilolaps në dorë dhe me ëndrrën ende të gjallë. Rasti i tij tregon se dëshira për të mësuar nuk njeh moshë dhe se ndonjëherë, më të fortët janë ata që nuk dorëzohen kurrë.

Lajme Te Ndryshme