2 korriku 1990, 35 vjet nga hyrja masive në ambasada
Pas disa veprimesh individuale në muajt mars-qershor 1990, si dhe një ngjarjeje në ambasadën italiane më 23.6.1990, në fillim të korrikut 1990, veprimi u hyrjes në ambasadat e huaja në Tiranë u bë masiv.
Më datën 1.7.1990 prapa ambasadës së RFGJ-së, makina “Robur” me targë TR 01-928 tentoi të hynte brenda në ambasadë duke ardhur në drejtim të policit të shërbimit me qëllim për ta shtypur. Polici qëlloi dy herë me pistoletë. Mjeti u fërkua në faqe të murit, ndërsa 4 – 5 veta dolën sipër kabinës dhe nga karroceria dhe futen në ambasadë. Mbi mjet u gjetën disa njolla gjaku.
Sipas hetimit të Hetuesisë së Përgjithshme gjatë datës 2 korrik 1990, pati “një intensifikim të hyrjes me dhunë në territorin e disa ambasadave të akredituara në vendin tonë”. Në orën 10.30, 6 persona çanë murin rrethues të ambasadën italiane me një makinë tip “Tatra”. Në orën 19.00, 34 persona hyjnë në ambasadën e Republikës Federale Gjermane me një makinë “Skoda”, duke shpërthyer murin nga ana e prapme e ambasadës. Në orën 21.00 një makinë “Skoda”, e mbushur me njerëz ka hyrë në ambasadën greke duke shpërthyer murin anësor. Pas këtij veprimi hyrë edhe persona të tjerë në ambasadat greke, polake, çeke, gjermano-perëndimore, etj, numri i të cilëve nuk u arrit të evidencohet. Organet e policisë ndaluan më 2 korrik, 76 persona. Nga raporti i parë i ngjarjes, del se ishin plagosur 6 persona, midis të cilëve Altin Përparim Basha (mbiemri i shkruar gabim në origjinal “Barka”), i plagosur me armë zjarri në bark, i cili vdiq më vonë në spita. Në ditët në vijim, situata doli jashtë kontrollit. Komiteti i PPSH-së së Rrethit Tiranë, udhëzoi ditën e tretë që të hiqej përkohësisht rrethimi policor për të dhënë idenë se “e lanë vetë”. Në këto ngjarje, si edhe të tjerat e kësaj kohe Sigurimi i Shtetit ishte krejt jashtë loje. Statistikat i përpunoi më vonë.
Për ngjarjet e kësaj kohe, e gjerësht ambasadat, kam botuar librin bashkëlidhur.
Kastriot Dervishi





