Kreu i SPAK, Altin Dumani, mori pjesë sot në tryezën e organizuar për vlerësimin e arkitekturës institucionale të Prokurorisë së Posaçme, me fokus te performanca, integriteti dhe garancitë për pavarësinë e saj.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi rëndësinë e balancës mes llogaridhënies dhe mbrojtjes së pavarësisë institucionale.

“Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me institucionet e tjera. E ndërmora këtë hap për t’iu garantuar atyre këtë pavarësi – që të komunikojnë në mënyrë të pavarur, pa përfshirjen time, përjashtuar në raste specifike hetimi,” – u shpreh Dumani.

Ai shtoi se dokumenti i paraqitur nënvizon boshllëkun ligjor lidhur me statusin e prokurorit pas përfundimit të mandatit – një çështje e ngritur në mënyrë të vazhdueshme në raportimet e SPAK në Kuvend dhe në KLP.

“Prokurorët e posaçëm meritojnë një përgjigje të qartë, cilado qoftë ajo,” – tha ai.

Dumani komentoi edhe mbi rolin e mbledhjes së prokurorëve në vendimmarrjen institucionale të SPAK.

“Nuk jam dakord me vlerësimin se ky rol është ‘pjesërisht i përmbushur’. Roli faktik i këtij mekanizmi duhet të pasqyrohet më qartë në raportet vjetore të institucionit.”

Kreu i SPAK paralajmëroi gjithashtu mbi ndikimet e mundshme në pavarësinë funksionale të institucionit përmes rekomandimeve të paqarta apo të njëanshme.

“Ndërhyrjet konstruktive janë të mirëpritura, por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale përmes rekomandimeve të paqarta apo të njëanshme rrezikon të zhbalancojë kufijtë kushtetues mes pushteteve. Këto rekomandime nuk janë detyruese për SPAK – ato janë orientuese dhe mbështetëse. Vetëm përmes respektimit të ndarjes së pushteteve dhe rolit të institucioneve të pavarura mund të ruajmë balancën kushtetuese,” – theksoi Dumani.

Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh se pavarësia nuk është një qëllim në vetvete, por duhet të shoqërohet me mekanizma efektivë të llogaridhënies.

“Siç e thekson edhe raporti i prezantuar sot, pavarësia nuk mund të jetë qëllim më vete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe funksionalë të llogaridhënies, për të garantuar që pushteti i dhënë institucioneve të drejtësisë t’i shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit,” – tha Manja.

Ai vuri theksin te rëndësia e koordinimit ndërinstitucional dhe roli që Ministria e Drejtësisë luan në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë është pjesë themelore e kësaj arkitekture. Ajo ka për detyrë të garantojë që institucionet të kenë burimet, rregullimin dhe mbështetjen e nevojshme për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.”

Manja theksoi se roli i ekzekutivit ndaj SPAK përfshin vetëm aspektet administrative dhe mbështetëse, pa ndërhyrë në pavarësinë funksionale dhe vendimmarrëse të institucionit.

“Roli ynë përfshin garantimin e sigurisë së prokurorëve dhe të ambienteve institucionale, planifikimin dhe mbështetjen financiare, ofrimin e rekomandimeve strategjike për politikën penale, si dhe ndërveprimin institucional përmes Ministrisë së Drejtësisë me Këshillin e Ministrave. Ky ndërveprim është i kontrolluar dhe nuk cënon kompetencat kushtetuese të SPAK.”

Në përmbyllje, Manja theksoi se vendi ka nevojë për një drejtësi që është njëkohësisht e pavarur dhe e përgjegjshme:

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj,” – përfundoi Manja.

Lajme Te Ndryshme