Aksehiri, një qytet në qendër të Anadollit është vendlindja e Nasreddin Hoxhës, ose siç e njohim në Shqipëri, Nastradini.
Qyteti i tij i lindjes është kthyer në epiqendrën e festimeve për figurën legjendare të satiristit turk, ndërsa mbushen 800 vjet nga lindja e tij. Edicioni i 66-të i Festivalit Ndërkombëtar të Nastradinit ka nisur më 5 korrik dhe do të zgjasë dhjetë ditë, me aktivitete që ndërthurin muzikë, teatër, humor dhe traditë popullore.
Festivali u hap me thirrjen tradicionale të lajmëtarit të qytetit dhe një sërë aktivitetesh kulturore që nderojnë zgjuarsinë dhe shpirtin kritik të Nastradinit. Aktori Altan Erkekli, i njohur për interpretimin e Nastradinit në skenë dhe ekran, u nderua me çmimin “Turbani i Artë” në ceremoninë hapëse.
Programi përfshin shfaqje teatrale në natyrë, tregime popullore, punëtori për fëmijë dhe ekspozita që sjellin në vëmendje jetën dhe trashëgiminë kulturore të Nastradinit. Festivali është tashmë pjesë e Shoqatës Evropiane të Festivaleve Folklorike, duke forcuar dimensionin ndërkombëtar të tij dhe nxitjen e shkëmbimeve kulturore.
Nasreddin Hoxha, figura e famshme që njihet për zgjuarsinë e tij të mprehtë dhe sensin e humorit të thellë, është i njohur në mbarë botën myslimane, që nga Azia Qendrore deri në Ballkan dhe Afrikën e Veriut. Sipas vendeve ai njihet me emra të ndryshëm si Molla Nasreddin, Juha apo Apendi. Në vitin 2022, ai u shpall pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore nga UNESCO, ndërsa që prej vitit 1996, ka një vit ndërkombëtar të dedikuar.
Studiuesit theksojnë se Nasreddin Hoxha nuk ishte thjesht një humorist popullor, por një mendimtar që përdorte satirën për të kritikuar pushtetin dhe për të pasqyruar realitetet sociale me ironi dhe mençuri.
“Ai na mësonte të qeshnim me veten dhe të reflektonim,” thotë profesoresha Ebru Şenocak, e cila e quan atë “ndërgjegjja popullore e njerëzve të zakonshëm”.
Edhe sot, tregimet e tij janë të pranishme në gjuhën e përditshme përmes shprehjeve popullore.
Festivali në Aksehir është më shumë se një përkujtim folklorik. Është një rikthim te vlerat universale të tolerancës, reflektimit dhe mençurisë që përçon figura e Nastradinit, i cili edhe pas tetë shekujsh, mbetet i dashur dhe aktual.





