Mbetet aktive edhe pas 24 orësh, vatra e zjarrit që përfshiu zonën nga fshati Vernik deri në fshatin Kapshticë në Devoll.
Rreth 50 forca të shërbimit zjarrfikës të bashkisë Devoll, mbështetur nga drejtoría e shërbimit pyjor, policia, policia kufitare dhe banorë të zonave, po vijojnë ndërhyrjen në terren për të mbajtur nën kontroll flakët, të cilat favorizohen nga era dhe temperaturat e larta. Sipas një bilanci paraprak, sipërfaqja e përshkuar dhe e djegur arrin në rreth 250 hektarë, pjesa më e madhe e së cilës është bimësi e ulët dhe shkurre. Intensiteti i flakëve ka rënë, ndërkohë që mbeten aktive disa vatra të vogla përgjatë vijës kufitare. Ndërhyrja në kohë e grupeve të punës bëri të mundur shpëtimin e dhjetëra bagëtive dhe një ferme bletësh në fshatin Vernik, të cilat u rrezikuan nga zjarri. Gjatë mëngjesit të sotëm, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, në ndihmë për shuarjen e zjarrit mbërritën edhe forcat zjarrfikëse të palës greke.

Lajme Te Ndryshme