Korçë: Bizneset në qendër dhe në zonën pedonale nisin lirimin e hapësirave publike, kërkojnë shtyrje afati deri më 15 shtator

Bizneset e vendosura në qendrën e qytetit të Korçës dhe në zonën pedonale kanë nisur zbatimin e urdhrit për lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike.

Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë, të gjitha subjektet të cilat kanë qenë të pajisura me leje të përkohshme, janë njoftuar për pezullimin e lejeve dhe iu është kërkuar që, deri më 2 gusht, të lirojnë hapësirat e zëna në mënyrë vullnetare.

Në urdhrin e shpërndarë pranë çdo biznesi, përcaktohet se duhet të hiqen të gjitha strukturat e përkohshme, përfshirë konstruksionet metalike, tendat, çadrat, pedanat si dhe elementë të tjerë si vazo apo ndarëse dekori. Në rast se bizneset nuk marrin masa brenda afatit të përcaktuar, pas datës 2 gusht do të ndërhyjnë IKMT e bashkisë dhe Policia Bashkiake për lirimin forcërisht të hapësirave.

Prej mëngjesit të sotëm, një pjesë e bizneseve kanë nisur çmontimin e strukturave metalike dhe elementëve të tjerë. Ndërkohë, një përfaqësi e subjekteve të prekura pritet të zhvillojë një takim me kryetarin e bashkisë, z. Sotiraq Filo, ku do të kërkohet shtyrja e afatit deri më 15 shtator, me argumentin se koha e vënë në dispozicion është shumë e shkurtër për t’u përshtatur me ndryshimet e kërkuara.

Zhvillimet në vijim do të ndjekin qëndrimin e autoriteteve vendore, ndërkohë që për bizneset e zonës pedonale, situata mbetet e tensionuar për shkak të ndikimit që kjo masë mund të ketë në aktivitetin e tyre gjatë sezonit turistik.






Lajme Te Ndryshme