Nga Pusteci,kryeministri maqedonas i tregon vijat e kuqe Bullgarisë
Brenda një muaji disa ministra të qeverisë së Maqedonisë së Veriut kanë vizituar Korçën dhe Pustecin,duke dhënë sinjale të një kursi të ri për forcimin e identitetit maqedonas edhe jashtë kufijve të vendit,përfshirë Shqipërinë.
Kulmin e intesifikimit të kësaj linje të re politike të qeverisë maqedonase e shënoi të diel, vizita e kryeministrit Hristijan Mickoski në Pustec.
Mickoski shfrytëzoi një festival folklorik të zonës së Prespës,për të artikuluar linjën e diplomacisë identitare,teksa u prit si hero nga qindra banorë të bashkisë së Pustecit,të cilët mbushën rrugët dhe qendrën e fshatit.
Mickoski erdhi në Pustec në një kohë të vështirë dhe të turbullt për minoritetin maqedonas në Shqipëri,i cili rezulton të jetë përgjysmuar gjatë një dekade,sipas Censit të fundit.
Vizita e kreut të qeverisë maqedonase,si pritej, doli tej kontekstit kulturor,pasi ajo përcolli një mesazh politik të qartë dhe të drejtpërdrejtë ndaj Bullgarisë, e cila prej vitesh ushtron presion mbi Shkupin,për rishikimin e identitetit, gjuhës dhe historisë maqedonase.
Në fjalën e tij, Mickoski theksoi qartë se maqedonasit, pavarësisht se jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë, janë pjesë integrale e një identiteti të veçantë dhe autokton. Me tone të forta, ai u shpreh se “ne nuk jemi as bullgarë, as grekë, as serbë,ne jemi maqedonas”, duke nënvizuar një kufizim të fortë kundrejt narrativave bullgare, që përpiqen të fshijnë dallimet etnike dhe gjuhësore mes dy vendeve. Deklarata nuk kërkon përkthim diplomatik,pasi ajo shkon drejtpërdrejt në adresë të Bullgarisë.
Fjalimi i gjatë dhe emocionues i Mickoskit në Pustec ishte në funksion të një strategjie të re,për të forcuar lidhjet me minoritetin maqedonas,sidomos në Shqipëri, përmes mbështetjes në arsim, kulturë dhe zhvillim ekonomik: jo si mëshirë,siç u shpreh kreu i qeverisë,por si detyrim shtetëror.
Nga Pusteci,ku përplasjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,kanë qenë të forta,edhe pse të veshura butë me diplomaci,mesazhet e Mickoskit vijnë si qëndrim i palëkundur se Maqedonia e Veriut po kërkon të shndërrojë komunitetet jashtë kufijve në një aset strategjik,për ruajtjen dhe promovimin e identitetit të saj kombëtar.
Në kontekstin, ku Bullgaria ka përdorur veton ndaj procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, për të kërkuar lëshime historike dhe gjuhësore, qëndrime të tilla nga udhëheqësit maqedonas nuk mund të lexohen si thjesht simbolike, por ato janë esenciale për të ruajtur kohezionin e brendshëm dhe të jashtëm.
Pusteci, në këtë rast, u përdor jo vetëm si një hapësirë kulturore, por si platformë për të artikuluar një politikë të jashtme të re të Maqedonisë së Veriut; më të vendosur, më identitare, dhe më të fokusuar në bashkëpunimin me komunitetet jashtë kufirit.
Mickoski e mbylli fjalimim me definicionin se maqedonasit nuk do të fshihen, nuk do të heshtin dhe nuk do të lejojnë që identiteti i tyre të tjetërsohet, as nga historia, as nga presioni diplomatik,me domethënie jo vetëm për maqedonasit që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë, por edhe për fqinjët,që prej vitesh synojnë të rishkruajnë identitetin e këtij kombi.
Vizitat e shpeshta të zyrtarëve të lartë maqedonas në Pustec,mund të interpretohen si përpjekje për ruajtjen e identitetit maqedonas,çfarë nuk është thjesht një çështje e së kaluarës historike, por një çështje aktuale sovraniteti.
Në këtë kontekst, përballja me përpjekjet për tjetërsim, nuk bëhet vetëm në tryezat e Brukselit apo në debatet për integrimin evropian, por edhe në bashki të vogla si Pusteci,banorët e së cilës,për shkak të ndikimeve bullgare,lëkunden nga një identitet tek tjetri,edhe për një pasaportë,që në kushte varfërie,është gjithçka.
Daniela Zisi
Nga Pusteci, kryeministri maqedonas i tregon vijat e kuqe Bullgarisë
2–4 minuta





