Pas gati 10 orësh i zhdukur pa gjurmë, ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i AKSHI-t, Daniel Shima, është kthyer pranë familjes. Ende nuk dihen shkaqet që e çuan atë të njoftonte partneren se po arrestohej dhe më pas të ndërpriste çdo kontakt.
Ngjarja u shënua mbrëmjen e 20 gushtit, kur familjarët humbën çdo lidhje me të dhe nënës së tij iu desh të denonconte rastin në Komisariatin nr.1 në Tiranë rreth orës 17:00. Në mesazhin e fundit të dërguar partneres, Shima kishte shkruar se “po e arrestonin”, çka shtoi edhe më shumë dyshimet dhe ankthin e familjes.
Policia e Shtetit ka reaguar duke bërë të ditur se janë kryer veprimet e para hetimore, përfshirë sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën ku dyshohej se Shima ishte parë për herë të fundit. Aktualisht, uniformat blu po verifikojnë pistat e mundshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, mes të cilave rrëmbimi apo edhe inskenimi i zhdukjes.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë motivet e veprimeve të Shimës, i cili tashmë është pranë familjes së tij, por ende nuk ka dhënë një version të tijin mbi atë çfarë ndodhi gjatë orëve të mungesës.
Mbaron telenovela, gjendet ish zv drejtori i AKSH
1–2 minuta





