Nga Daniela Zisi

21 milionë euro për zhvillimin e Pustecit dhe Pogradecit, ku janë fondet e Gjermanisë?

Në vitin 2023,qeveria nënshkroi me bankën  gjermane KfW një marrëveshje huaje prej 20 milionë euro, e shoqëruar me 1 milion euro grant, për projektin “Zhvillimi i Integruar Rajonal” në bashkitë Pustec dhe Pogradec.

Ashtu si u shpreh në atë kohë edhe ministrja Delina Ibrahimaj, projekti,i cili do të implementohej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit,synonte  mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes përmirësimit të infrastrukturës, turizmit dhe shërbimeve bazike në dy nga bashkitë më të rëndësishme për turizmin natyror dhe kulturor në juglindje të vendit,Pusteci dhe Pogradeci.

Por,dy vite pas nênshkrimit dhe ratifikimit të huasë prej 20 milion euro,plus 1milion euro grant, ende nuk duket të kenë nisur punimet për zbatimin e projektit,ndërkohë, fondet mbeten pa adresim të qartë publik.

Në mars 2023, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli tenderin për konsulentin zbatues të projektit, si një hap kyç për përgatitjen, projektimin dhe mbikëqyrjen e punimeve. Të dhënat zyrtare tregojnë që tenderi u anulua pak muaj më pas, për shkak të ndryshimeve në kërkesat teknike dhe objektivat e projektit. Deri sot,nuk gjendet asnjë informacion që të tregojë se tenderi për konsulencë është rishpallur dhe nuk ka njoftim publik për kontratë të lidhur me ndonjë operator që ofron konsulencë.

Koha kalon,ndërsa në terren nuk ka asnjë shenjë investimi. Në Pogradec dhe sidomos në Pustec, bashkia më e vogël dhe më e varfër e vendit, banorët nuk kanë parë asnjë përfitim real nga ky projekt zhvillimi që do transformonte dhe fuqizonte ekonomite lokale të këtyre bashkive.

Për të kuptuar sa jetik është zbatimi i projekteve të tilla në Pustec,mjafton të shohesh si çdo mëngjes dhjetra banorë të zonës,burra dhe gra,në moshë aktive për punë,por edhe të moshuar,kalojnë kufirin për të punuar në  ndêrtim,bujqësi, fasoneri,apo shêrbime të tjera në Maqedoninê e Veriut. Bujqësia dhe blegtoria e pakët, peshkimi,mbledhja e çajit,kërpudhave,apo frutave të pyllit,u sigurojnë një grushti banorësh minoritarë që ende nuk kanë ikur,veç mbijetesë të mundimshme.

Sa për zhvillimin e  turizmit, vetëm gjendja e rrugëve lidhëse mes fshatrave,as 38 km gjatësi në të gjithë bashkinë,duhet të bëjë me turp çdo qeverisje të këtyre tre dekadave,që e kanë shkretuar zonën më të bukur të juglindjes, duke detyruar më shumê se gjysmën e banorëve të largohen nga Pusteci dhe nga vendi ku më e keqja lulëzon vetvetiu.

Në mungesë të plotë transparence dhe me riskun potencial që 21 milion eurot e bankës gjermane të shpërdorohen,apo ndryshojnë destinacion,bashkia e Pustecit mbetet pikë e padiskutuar reference se si politika lart nuk duhet t’i bëjë gjërat.

Nëse nuk vihet dorë dhe investohet seriozisht në këtë zonë,pas disa vitesh,nga dogana e Gorricës kanë për të kaluar vetëm zogjtë.

Lajme Te Ndryshme