Nga: Eduart Bardhushi
EDITORIAL/ Spitali fantazmë dhe premtimi i pambajtur nga Niko Peleshi me 15 milion euro investim…
Nëse në Korçë do të jepej ndonjëherë çmimi për trillimin më të mirë fantastiko-elektoral, Niko Peleshi do ta fitonte me një kërcitje të gishtave…
Mes betonit të mykur dhe aparaturave që ndalojnë punën më shpesh se energjia elektrike në fshatrat e thella, Peleshi u rikthye më 29 Prill 2025, me një nga ato fjalimet që i jepte fushatës një aromë të freskët… si ajo e dezinfektantëve që mungojnë në spital prej vitesh!
Premtoi një Spital të ri rajonal në Korçë me 15 milionë euro! Po ku?
Në të njëjtin vend ku pacientët mbështillen me batanije që nga shtëpia se sistemi i ngrohjes në spital është simbolik dhe atje ku urgjenca duket më shumë si një korridor i improvizuar sesa një njësi mjekësore.
Vazhdojmë më tej: Ai shprehej se do të ndërtoheshin pavione moderne me teknologji të avancuar, ndërkohë që edhe sot, termometri është luks!!
Dhe nuk mbaroi me kaq, përmendi dhe një pavion të Hemodinamikës, një fjalë kaq e gjatë sa i bie të mbulojë boshllëkun real të pajisjeve që mungojnë…
Ky “investim” i madh, i shpallur në fushatën elektorale, ishte fiks si një dhuratë e paketuar bukur, por që bosh nga brenda.
Pooor s’ka rëndësi, sepse ndërkohë që banorët enden me dosje në dorë për analiza që nuk bëhen dot, në Facebook-u i Peleshit duken ende grafikat 3D, me emoji me yje dhe me pamjet e spitalit të ri të Korçës.
Tani, të jemi realist: Nëse vërtet do të bëhej një spital sipas standardeve europiane, ndoshta duhej nisur me një ndërhyrje “të vockël”… Zhdukjen e premtimeve boshe dhe kurimin e sëmundjes së vjetër të propagandës!
Doni ta shihni Spitalin e ri Rajonal të Korçës???
Ja u them unë se si: Mbyllni sytë fort, imagjinoni, dhe klikoni “like” në postimet e propagandës.





