Shkruan : Daniela Zisi

Përtej faktit që takimi në Durrës i Ervin Salianjit me një pjesë të strukturave lokale,është ekstrastatuor,ajo që më tërhoqi më tepër vemendjen,ishin ata demokratët e rinj,të  mirëshkolluar dhe artikuluar bukur, që morën fjalën.

Në ligjërimin e tyre, edhe nga distanca ndihej se ishin kontribues me zemër dhe pastërtisht idealistë.

Me të drejtë,të rinjtë kërkuan hapjen e PD,ngritjen e saj,si alternativë e besueshme për të qeverisur vendin,meritokraci dhe garë të ndershme,analizë dhe përgjegjësi për humbjet dhe argumenta të ngjashëm që i dëgjon prej çdo demokrati sot dhe 12 vite.

I dëgjon kudo,por jo në forume,jo në struktura,jo si kulturë e politikëbërjes dhe llogaridhënies,jo në mënyrë institucionale,por si mërzi,mllef,drobitje,padurim dhe mungesë shprese.

Në të njëjtën udhë shkoi edhe fjalimi i shkruar i Salianjit,i cili edhe pse prej 10 vitesh është pjesë e kupolës, estabilishmentit dhe vendimarrjes së forumeve më të larta të PD,e përjashtoi veten nga përgjegjësia politike për situatën ku gjendet sot forca më e madhe opozitare e vendit. E dëgjuat si na pyeti? Pse skandalet e qeverisë nuk mbushin sheshet me protestues? Po,hë,pse? Pse ata demokratët që erdhën në takimin tënd në Durrës,nuk shkojnë të mbushin sheshet bashkë me ty dhe mijra të tjerë nga i gjithë vendi? Kjo do ishte përgjigjia për pyetjen në fjalë.

Demokratët e rinj të Durrësit dhe të rinj të tjerë të angazhuar në politikë,që po i shkojnë pas Salianjit,atij që e mban dhe shet veten të ri,jo vetëm për shkak të moshës,duhet të kuptojnë dhe besojnë se politika para se të jetë vokacion,bindje, karrierë,pasion,është moral.

Për të keqen e PD, lëvizja me protagonist Salianjin nuk po mban erë moral,por erë moçal,për shkak të të rinjve,që në mendësi dhe instrumenta janë më të vjetër se të vjetrit dhe më makiavelistë se vetë Makiaveli.

Për të rinjtë që kërkojnë një politikë të moralshme, me rregulla loje dhe meritokraci  dhe shpresojnë se këto do t’ia sjellë Partisë Demokratike, Salianji,po rendit ftohtë disa fakte për pretendentin e fronit të Berishës:

Sapo u diplomua në një universitet privat, në 2011, Salianjit iu hap njê vend pune në bashkinë e Tiranës nga kryetari i saj Lulzim Basha,si Avokat i Qytetit. Këtë mundësi e kishte Salianji,jo ndonjë i ri tjetër,mbaruar studimet jashtë apo brenda shkëlqyer,por pikërisht, Salianji.

Në 2015 Salianji garon pëballë Belind Këlliçit për kreun e Forumit Rinor të PD dhe humb.
Meqë humbi garën,Basha,në 2017 e emëron deputet të  Qarkut të Korçës,duke mos përfshirë në lista Belind Këlliçin.
Në 2021 Salianji vjen si i dyti i listës Basha për Korçën dhe bashkëdrejtues politik i qarkut me Spahon.
Demokratët e Korçës nuk e kanë harruar si i shkallmoi Salianji strukturat,si u bênte presion pêr tê mos u angazhuar me kandidatêt e tjerë,vetëm që të merrte 10 mijë vota,për t’i bërë karshillëk Peleshit,pa punë e madhe se nuk fitoi PD.

Shpallja e Berishës non grata e gjen Salianjin në krye të lëvizjes për ta hequr qafe përfundimisht.

Nga Kinemaja e Korçës,në zemër të Korçës guxoi t’i cilësojë demokratët që mbështetën Berishën, llum,duke kulmuar mbështetjen për Bashën me  mbajtjen mjeshtërore të  shkopit të bejsbollit,prapë në luftën mes veti. Situata në fjalē tregoi Salianjin si personazhin e llogarive të vogla politike dhe dëmeve të parikuperueshme,si ndodhi me degen e PD të Korçës,ku futi duart dhe shkatërroi arkitekturën qytetare të opozitës në këtë qytet.

Kur pa që peshorja anonte nga Berisha,lehtësisht,braktisi Bashën dhe iu bashkua Foltores,duke tërhequr pas edhe mbështetësit e tij,në Korçë më së shumti.

E gjithë kariera politike e Salianjit,tregon qartazi mungesën e konsekuencës dhe profilin e një politikani me protagonizëm të sforcuar.
Salianji bëhet pjesë e lëvizjeve të pakicës,shkon pas pakicave,kur sheh se shumica po dobësohet dhe lufton fort deri kur kupton që pakica nuk ia del,për tu kthyer si plangprishës tek më të fortët.
Duket që Salianji,për shkak të profilit të ulët politik,ka destinin e një lavjerrësi,që shkundet e lëkundet në pafundësi,pa gjetur vend dhe qetësi.

Lëvizje të kësaj natyre,mund t’i bëjnë dhe mund tu shkojnë politikanëve të skalionit të dytë;atyre që përpiqen të përfitojnë diçka pas furtunave,por jo dikujt si Salianji,që ka marrë përsipër të bëjë kapitenin shpëtues të PD,anijes që po fut ujë nga të gjitha anët edhe për shkak të vrimave që ka hapur Salianji me shokë dhe shoqe.

Që ta konkludoj mendimin: Morali politik është një frak që Salianjit,as i bën,as i rri dhe as i shkon.

Post Scriptum: Këmbët mund të bëhen kokë,kur rigoni të bëhet lis.

Daniela Zisi

Lajme Te Ndryshme