Prespë / Nis censusi i shpendëve dimërues/
Ka nisur në qarkun e Korçës censusi i shpendëve dimërues të ujit, me fokus Liqenin e Prespës së Madhe. Specialistë të Administratës së Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me ornitologë, janë shpërndarë në zonën e Pustecit, ku kanë kryer vrojtime sistematike në pesë pika të përhershme monitorimi.
Të dhënat paraprake tregojnë se, krahasuar me një vit më parë, mbeten të qëndrueshme si llojet e shpendëve dimërues ashtu edhe numri i individëve. Popullatat e bajzave vijojnë të jenë konstante, ndërsa gjatë monitorimit janë evidentuar edhe specie të rralla, si rosa laramane me çafkë dhe rosa me katër sy.
Gjatë vrojtimeve të fundit është konstatuar edhe prania e zhytarakut të madh (Mergus merganser), një specie e rrallë për Liqenin e Prespës, si dhe prezenca e katër mjellmave. Bajza shfaq një prani më të madhe këtë periudhë, e favorizuar nga temperaturat pothuajse optimale.
Ekspertët vërejnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm, veçanërisht tek speciet migratore të Liqenit të Prespës së Madhe. Luhatjet e temperaturave dhe rënia e nivelit të ujit kanë sjellë degradimin e disa habitateve, duke i bërë ato më pak të përshtatshme për qëndrimin dhe folezimin e shpendëve migratorë.
Censusi i shpendëve dimërues të ujit synon të evidentojë ecurinë dhe ndryshimet e popullatave që dimërojnë në vendin tonë, duke u shërbyer studiuesve dhe institucioneve mjedisore për të kuptuar shkaqet e ndryshimeve në lloje dhe në numrin e shpendëve, si dhe për të orientuar masat e mbrojtjes së biodiversitetit.




