Qendra shëndetësore e Zagradecit, u bë e re por dera e saj qëndron e mbyllur. 35 banorë të moshuar të këtij fshati të bashkisë së Devollit prej disa kohësh nuk marrin shërbim bazik mjekësor për shkak të mungesës së mjekëve dhe infermierëve.
Qendra shëndetësore e fshatit Zagradec, në Bashkinë Devoll, u ndërtua vetëm një vit më parë, por sot dera e saj qëndron pothuajse e mbyllur gjatë javës. Sipas banorëve, objekti hapet rrallë dhe shërbimi ofrohet vetëm të shtunave, kur infermieri paraqitet për disa orë.
Në fshat kanë mbetur vetëm 35 banorë, të gjithë të moshuar dhe me nevoja të vazhdueshme për shërbim shëndetësor. Për çdo injeksion, recetë apo kontroll minimal, ata detyrohen të udhëtojnë drejt Bilishtit. Në raste të tjera, nga pamundësia për të marrë shërbim në kohë, përpiqen t’i kryejnë vetë procedurat bazike, duke rrezikuar shëndetin e tyre.
Banorët shprehen se ndërtimi i godinës ishte një hap pozitiv, por mungesa e personelit mjekësor e ka kthyer qendrën në një investim formal, pa funksion real për komunitetin. Ata kërkojnë praninë e përhershme të një infermieri dhe mbulimin periodik nga një mjek familjeje.
Mungesa e shërbimeve bazike shëndetësore, për shkak të mungesës së mjekëve dhe infermierëve në zonat rurale, mbetet një nga arsyet kryesore që po përshpejton zbrazjen e fshatrave. Pa akses në kujdes shëndetësor, sidomos për të moshuarit, jetesa në këto zona bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Rasti i Zagradecit ngre sërish pikëpyetje mbi funksionalitetin e investimeve publike në infrastrukturën shëndetësore rurale dhe nevojën për politika konkrete që garantojnë jo vetëm ndërtimin e objekteve, por edhe ofrimin real të shërbimit për qytetarët.
Devoll/ Banorët e Zagradecit pa shërbim shëndetësor. Na rroftë qendra e re shëndetësore!
1–2 minuta





