KLSH zbulon skandalin në Spitalin e Korçës: pacientët konsumuan vezë pa vulë dhe datë skadence

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Spitalin Rajonal të Korçës zbulon shkelje serioze në procedurat e furnizimit me ushqime, konkretisht në blerjen e vezëve për vitin 2024.

Sipas auditimit, kontratat e lidhura për këtë furnizim janë ndryshuar gjatë zbatimit, duke hequr specifikimet teknike për cilësinë e produktit, të tilla si: kriteret për klasifikimin, freskinë dhe standardet që duhet të përmbushnin vezët. Këto elementë kishin qenë pjesë e dokumenteve fillestare të tenderit dhe bazë për vlerësimin e ofertave.

Në raport thuhet : Hiqet kërkesa: “Çdo kokërr vezë duhet të jetë e vulosur dhe të tregojë markën dhe datën e skandencës.

Në të njëjtin nen të kontratës hiqet edhe shkronja e, e cila parashikon : Çdo parti malli duhet të shoqërohet me raport analizë dhe ky raport duhet të përputhet me markën dhe datën e vulës.”.

Ndërhyrja në termat e kontratës përbën shkelje të rregullave të prokurimit publik, pasi ndryshon thelbin e kontratës dhe cenon barazinë në garë. Në të njëjtën kohë, auditimi evidenton edhe mospërputhje në sasitë e administruara dhe mungesë dokumentimi të plotë për hyrje-daljet në magazinë, çfarë dobëson kontrollin financiar.

Nga ana tjetër, heqja e standardeve të cilësisë së produkteve, le hapësirë për furnizim me produkte më pak cilësore, me të njëjtin çmim, çka rrit riskun për dëm ekonomik dhe vë në pikëpyetje sigurinë ushqimore për pacientët.

KLSH thekson se këto veprime kanë cënuar transparencën dhe përdorimin eficient të fondeve publike, duke nxjerrë në pah mangësi të theksuara në menaxhimin e kontratave dhe kontrollin e brendshëm institucional në Spitalin e Korçës.

Për vitin 2024, në Spitalin e Korçës janë shtruar 9247 pacientë, me një mesatare prej 5.35 ditë qëndrimi.

Lajme Te Ndryshme