Arben Taravari, kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut,nga Korça deklaroi se ka përkeqësim të zbatimit të ligjit për pērdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
“Që nga viti 1974, gjuha shqipe ka qenë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, gjuha shqipe është përdorur, por nuk ka pasur status zyrtar. Pas Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, janë sjellë disa ligje për përdorimin e gjuhës shqipe, sipas të cilave, në territoret ku jetojnë mbi 20% shqiptarë, gjuha shqipe përdoret zyrtarisht. Ligji i fundit është miratuar në vitin 2017, duke paraparë një përdorim më të gjerë të gjuhës shqipe. Megjithatë, zbatimi i tij fatkeqësisht nuk është në nivelin e duhur.
Gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase, ashtu siç ishte në Kushtetutën e vitit 1974, kur Maqedonia ishte Republikë Socialiste. Ne mendojmë se kjo përqindje 20% duhet të hiqet dhe të rikthehet ajo që ishte në kohën e ish-Jugosllavisë, përkatësisht që gjuha shqipe dhe maqedonase të jenë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, si gjuhë të dy etnive që përbëjnë rreth 90% të popullsisë.
Ka institucione që duhet ta përdorin gjuhën shqipe, por e anashkalojnë apo shpërfillin përdorimin e saj. Aktualisht ekziston një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese dhe besoj se ajo do të sjellë një vendim objektiv dhe racional. Sepse nëse vendimi është ndryshe, ai nuk do të jetë i mirë për shoqërinë në përgjithësi. Në Maqedoninë e Veriut, stabilitetin dhe destabilitetin e sjellin dy popujt kryesorë, prandaj është me rëndësi të madhe kohezioni i brendshëm mes këtyre dy etnive.
Maqedonia është larg destabilitetit. Ne kemi ligje shumë të mira, por ato shpesh nuk zbatohen. Në institucionet ku ka shqiptarë, këto ligje zbatohen, ndërsa aty ku udhëheqin maqedonasit, nuk respektohen dhe nuk implementohen ashtu siç duhet, pavarësisht funksioneve si ministër apo zëvendësministër. Kjo nuk është në rregull. Edhe pse ekziston një agjenci e posaçme që merret me zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe e ka për detyrë të dënojë institucionet që nuk e zbatojnë atë, fatkeqësisht kjo agjenci nuk funksionon siç duhet.”
Taravari nga Korça:Të kthehet ligji i Titos për gjuhën shqipe
1–2 minuta





