Arrarisje spektakolare e korçarit nga spitali në Greqi, e ndihmuan komandot
Arratisje spektakolare nga spitali i Serres – 41-vjeçari nga Korça u arratis me ndihmën e bashkëpunëtorëve.
41-vjeçari Gentian Cipi, lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë, është shqiptari që u arratis mbrëmjen e djeshme në mënyrë spektakolare nga spitali i Serres, në Greqi.
Cipi, i cili ndodhej i burgosur në Greqi, rezulton me precedentë penalë në Shqipëri dhe Greqi.
Në Shqipëri, ai është dënuar në korrik 2024 me 2 vite burgim për “shkatërrim të pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Ai ishte akuzuar për djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen 13, në rrugën “Loni Grazhdani” në Korçë.
Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia e kishte proceduar Cipin pasi pranë banesës së tij ishin gjetur kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Por aktiviteti i tij kriminal nuk është ndalur në Shqipëri.
Më 3 shtator 2024, në Pylaia të Selanikut, Cipi dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj një 25-vjeçari grek jashtë një kantine. I riu u plagos me tre plumba, por mbijetoi, ndërsa autori u largua nga vendngjarja.
Pas një hetimi disa-mujor, policia greke organizoi në shtator 2025 operacionin për kapjen e tij. Bashkë me Cipin u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, edhe këta nga Korça.
Sipas autoriteteve greke, Cipi dyshohet se ishte drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge dhe akte dhune.
Gjatë operacionit të arrestimit në Selanik, Cipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrave të policisë. Ata shtuan shpejtësinë e automjetit, kryen manovra të rrezikshme dhe përplasën një automjet policie. Më pas braktisën makinën dhe u larguan në këmbë, por u kapën pak më vonë.
Në një tjetër aksion, në zonën e Halkidikisë, u arrestua edhe Enea Basholli.
Nga kontrollet, policia greke sekuestroi 1 kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, një silenciator, rreth 31 kg marijuanë, pasaporta dhe patenta false, 23 mijë e 350 euro, telefona celularë dhe 3 automjete.
Tashmë, emri i korçarit Gentian Cipi rikthehet në vëmendje pas arratisjes spektakolare nga spitali i Serres, ku ndodhej nën masën e sigurisë në Greqi.




