Çfarë tregoi anketa me 56 të moshuar në Korçë për mashtrimet online?
Një pjesë e të moshuarve ende mund të bien pre e mesazheve mashtruese, ndërsa 75% e të anketuarve thonë se ndihen më të përgatitur pas trajnimit.
Anketa e zhvilluar me 56 të moshuar të Qendrave Ditore në qytetin e Korçës, në kuadër të projektit “Të rinjtë dhe të moshuarit kundër dezinformimit online”, tregon se krahas njohurive dhe kujdesit që ekziston, mbeten ende boshllëqe në identifikimin e mashtrimeve në internet.
Një nga situatat e testuara ishte marrja e një mesazhi që premton para ose dhurata. 28 të moshuar, ose 50%, thanë se do të verifikonin burimin para se të vepronin. Ndërkohë, 9 persona, ose 16,1%, thanë se do të klikonin linkun, një do t’i jepte të dhënat personale për të përfituar dhuratën, ndërsa 18, ose 32,1%, nuk ishin të sigurt se si do të vepronin.
Edhe perceptimi mbi rrezikun e mashtrimit nga persona të panjohur në internet ndryshon. 22 të moshuar, ose 39,3%, besojnë se mund të mashtrohen për t’u marrë para apo të dhënat bankare; 16, ose 28,6%, thonë jo, ndërsa 18, ose 32,1%, nuk janë të sigurt.
Një tjetër pyetje lidhej me reklamat online për ilaçe që premtojnë rezultate çudibërëse. 27 persona, ose 48,2%, do të konsultoheshin me mjekun ose farmacistin para se ta blinin produktin. Por 11 do ta blinin, 4 do t’ua rekomandonin miqve dhe 14 nuk dinin si do të vepronin.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se jo të gjithë ndihen të aftë të dallojnë një faqe interneti ose mesazh mashtrues. 22 të moshuar thanë se dinë ta dallojnë, 18 se dinë pak, ndërsa 16 pranuan se nuk dinë.
Trajnimi i të moshuarve nga mentorët e rinj rriti sigurinë
Ndryshimi më i dukshëm shfaqet në vlerësimin që të moshuarit bëjnë pas trajnimit.
34 persona thanë se ndihen shumë më të përgatitur për të dalluar mashtrimet online, 8 disi më të përgatitur, 9 pak më të përgatitur, ndërsa 5 nuk ndihen më të përgatitur.
Në total, 42 nga 56 të anketuarit, ose 75%, deklaruan se pas trajnimit ndihen shumë ose disi më të përgatitur për t’u përballur me mashtrimet online.
Një tjetër komponent i projektit është Digital Buddy, një platformë praktike për informimin dhe edukimin digjital, e aksesueshme nga të moshuarit në Korçë dhe më gjerë.
Edhe për këtë mjet, përgjigjet janë pozitive: 31 të moshuar thanë se platforma do t’i ndihmojë shumë, 12 se do t’i ndihmojë disi dhe 13 se do t’i ndihmojë pak.
Rezultatet e anketimit tregojnë se kujdesi ndaj informacionit online ekziston, por nuk është gjithmonë i mjaftueshëm përballë formave të ndryshme të mashtrimeve. Një pjesë e të moshuarve të anketuar ende nuk është e sigurt se si duhet të veprojë përballë një mesazhi të dyshimtë apo si të dallojë një faqe mashtruese.
Në këtë situatë, trajnimi praktik synon të shkojë përtej këshillës : Mos kliko ! Të moshuarit duhet të dinë si të verifikojnë një burim, si të identifikojnë shenjat e një mashtrimi dhe kur duhet të kërkojnë ndihmë.
Projekti “Të rinjtë dhe të moshuarit kundër dezinformimit online”, i zbatuar nga gazetarja Daniela Zisi, synon pikërisht forcimin e këtyre aftësive përmes bashkëpunimit mes të rinjve dhe të moshuarve dhe përdorimit të mjeteve praktike të edukimit digjital.
Anketa, e cila vjen si produkt i projektit “Të rinj dhe të moshuar kundër dezinformimit online” tregon se informimi dhe edukimi janë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së të moshuarve në një hapësirë online ku mashtrimet mund të shfaqen në forma gjithnjë e më bindëse.
Mashtrimet online/ Çfarë tregoi anketa me të moshuarit në Korçë ?
2–3 minuta




