Loja për bashkinë e Korçës është mbyllur, Sotiraq Filo kandidati i vetëm, të tjerët ngopen me lugën bosh


Sotiraq Filo pritet të jetë kandidati i vetëm i Niko Peleshit pêr zgjedhjet e afërta lokale për bashkinë e Korçës. Orekset, ambicjet apo ëndrrat dhe emra të tjerë rrotull dhe afër Peleshit, të cilët shpresojnë që Filo të përjashtohet nga gara për kufizime ligjore, do tu mbetet në dorë luga bosh, me të cilën do të ngopen edhe për shumë kohë.
Kush i referohet ligjit 139/ 2015, neni 59/2,
i ka bërë hesapet pa hanxhinë. Pse e them këtë ?
Së pari : Vërtet ligji i vitit 2015 përcakton në nenin 59/ 2 kufizim deri në tre mandate rradhazi për kandidatët për kryetarë bashkie, por ligji në fjalë nuk shprehet, si veprohet në rastet e ndryshimeve territoriale. Edhe sikur reforma e re territoriale të mos përfshijë ndryshimin e ligjit 139, që nuk ka gjasa të ndodhë, përsëri Sotiraq Filo, në kushtet e  ndarjes së re të territorit, ku veç Korçës, do të përfshihen edhe bashki tê tjera, nuk ka asnjë kufizim ligjor pêr të rikandiduar.

Nga ana tjetër, është e qartë, që bashkë me reformên administrative, pritet të ndryshojë edhe ligji për Pushtetin Vendor, i cili ndalon kandidimin e Filos ose të tjerëve me disa mandate, vetëm nëse ligjvënësi i jep ligjit fuqi prapavepruese.
Ky është aspekti ligjor. Sa i takon aspektit politik, edhe pse PS ka vendosur disa vite më parë kufizim jo më shumë se dy mandate për të zgjedhurit e saj vendorë, përjashtime ka pasur sa të duash, edhe në Qarkun e Korçës.
Një interpretim politik i rastit të Sotiraq Filos, na çon në përfundimin që Niko Peleshi nuk ka asnjë arsye, motiv, perspektivë, pse të eksperimentojë me emra të rinj, kur ka Filon, me të cilin nuk diskuton as mandatin e zgjedhjeve të radhës. Edhe fakti, që bashkia e Korçës pritet të jetë shumê më e madhe se tani, avantazhon pikërisht një kandidat si Sotiraq Filo. Po të shtojmë këtu edhe pozitat e palëkundura tê Niko Peleshit në kupolën socialiste, emri i Sotiraq Filos është i vendosur dhe vulosur me vulë të thatë.
Pyetja në këtë rast, nuk është a do jetë Filoja kandidat i bashkisë së madhe, por cili do jetë kandidati i PD që do rivalizojë Filon ?
Nga lufta në selinë me qepena të mbyllura të PD të Korçës, kuptohet kush synon të sfidojë Filon.

Lajme Te Ndryshme