Mbi 1 mijë persona humbin jetën çdo vit nga sëmundjet kardiake në Qarkun e Korçës.
Vdekja e parakohshme e biznesmenit Geni Braholli,i cili humbi jetën pas një sulmi në zemër, teksa ishte në gjumë, kthen në vëmendje faktin që sëmundjet kardiake vijojnë të mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në qarkun e Korçës. Patologjitë e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut janë një alarm serioz për shëndetin publik në juglindje të vendit.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në Qarkun e Korçës 46.2% e të gjitha vdekjeve vijnë nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut. Në vitet
e kaluara shifra ka arritur në 50%.
Kjo do të thotë se afërsisht, 1 në 2 persona që humbin jetën në Korçë, vdesin nga:
infarkti, insuficienca kardiake, hipertensioni me komplikacione,apo goditjet cerebrale.
Bazuar në numrin total të vdekjeve që regjistrohen çdo vit në Qarkun e Korçës, përllogaritjet statistikore tregojnë se, 1,100 deri në 1,500 persona humbin jetën çdo vit nga sëmundjet kardiovaskulare.
Ekspertët e Shëndetit Publik e lidhin këtë situatë me disa faktorë kryesorë, ku përfshihen plakja e popullsisë, emigrimi i të rinjve, përhapja e hipertensionit dhe diabetit, duhanpirja dhe mungesa e kontrolleve të hershme mjekësore si dhe diagnostikimi i vonuar.
Jo vetëm në Korçë, por edhe në nivel kombëtar, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbeten “vrasësi” kryesor i shqiptarëve. Vetëm gjatë vitit 2025, mbi 11 mijë shqiptarë humbën jetën nga këto patologji, sipas INSTAT.
Ndërkohë, Spitali Rajonal i Korçës përballet çdo vit me mijëra raste urgjence dhe një numër të lartë pacientësh me probleme kardiake. Mjekët paralajmërojnë se rastet e infarktit po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe tek moshat më të reja.
Specialistët theksojnë se kontrolli periodik i tensionit, diabetit, analizave të gjakut dhe shmangia e faktorëve të riskut mbeten mënyra më efikase për të ulur numrin e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës.
Zefiri.net
Zemra,”vrasësi” kryesor i korçarëve
1–2 minuta





