Në shtëpinë,ku 89 vite më parë jetoi konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Shqipëri,shkrimtari i madh nobelist Jorgo Seferis,sot u çel me një ceremoni zyrtare Kosullata Greke.
Nga ambjentet e asaj shtëpie,dikur pronë e njē shtetasi grek dhe më pas,pronë e shtetit grek,nobelisti i madh do shkruante një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij poetike,por edhe letrat që ai i dërgonte të dashurës Maro,që e priste në Greqi. Ja disa pjesë nga letrat e Seferis:
“Letrën tënde të së martës e mora sot. Pas shumë kohësh! Por le të mos grindemi. Është gëzimi i parë që pata në këto male dhe me që sot është dita e pazarit, dola ta shoh dhe të shijoj gëzimin tim. Edhe ty do të të pëlqente, po të ishe me mua, të shihje ngjyrat e pazarit dhe fytyrat e çuditshme të njerëzve të këtushëm. Binte shi… Brodha përmes turmës së gjithë atyre fshatarëve, që ngjajnë aq shumë me njëri-tjetrin: faqe të rrufitura, hundë shkabë me hark, sy dinakë, truphollë dhe disi të kërrusur. Për një çast mendova: ç‘kam ardhur të bëj unë, ishullari, midis këtyre malësorëve?!
M‘u kujtua ai plaku kretas, që e takuam nga fundi i verës, kur po shkonim te shtëpia e N. Kazanxaqit. Sa lehtësisht kuvendonja me plakun! Po të mund të flisja me këta fshatarët e pazarit, çfarë do t‘u thosha, ç‘do t‘i shtynte ata të hynin në bisedë me mua?! Por, e ndjej se me pak zell, nuk do të ishte e pamundur, si me shumë të tjerë që shoh çdo ditë.
“Ndoshta ngaqë mendoj për ty”- thua?..
E mira ime, shihja sot në pazar shumë gjëra, që nuk ka se ç‘më duhen përderisa nuk mund t‘i ndaj me ty. Lakrat dhe preshtë e famshëm të Korçës, që aq herë të kam folur për to. Preshtë janë të gjetë e të trashë si trarë, të gjelbër dhe shumë të bardhë. Lakrat të mëdha dhe të ngjyrshme, ashtu si figurat e Miki Mausit! I blinin fshatarët për t‘i mbuluar dhe rimbuluar brenda në dhe. Nga ato do të hanë tërë dimrin.
“…Të dielën më ftoi Ambasadori në Tiranë. Aty kalova mjaft mirë. U thye disi monotonia. Pardje, vajtëm ekskursion deri në Krujë, që është në shpatin e një mali mbi Tiranë, një fole shqiponjash. Fshat i bukur dhe piktoresk, placdarmi i Gjergji Kastriotit, i Skënderbeut. Kushdo e kupton për mrekulli se si i copëtonte me mijëra armiq duke zbritur që nga lart. Ka edhe një çarshi (6) që do të të zbaviste, krejt si ato në Lindjen Arabe, që tani i shohim vetëm nëpër libra ose në përrallat e Halimasit. Bleva një palë çorape të leshta arvanitase dhe një palë opinga me lëkurë derri. Do t‘i mbath në verë në Egjina. Një tjetër e mirë e Tiranës ishte se solla me vete gjatë kthimit: konjak, uiski dhe cigare. E mirë pozitive! Këto janë të rejat e mia, Marika ime e dashur. Në qoftë se do të të duken llomotitje, më vjen shumë keq, por ende nuk kam më të mira. Duke u kthyer sot në mëngjes me makinë – janë tetë orë rrugë – e ndalova shoferin në një majë. Para nesh hapej një sipërfaqe e madhe plot ujë. Përballë – male shumë të lartë. Zbrita. I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova, duke kërkuar një barkë, a një anije të vockël. Asgjë, m‘u duk një det i vdekur. Ishte liqeni i Ohrit”.





