Inaugurohet Akademia e Arteve Marciale në Bilisht, hapet një derë e re për të rinjtë
Bilishti tashmë ka një hapësirë të re sportive në shërbim të të rinjve. Është inauguruar Akademia e Arteve Marciale, një nismë që synon promovimin e sporteve luftarake dhe aktivizimin e fëmijëve në aktivitete të shëndetshme.
Ceremonia u zhvillua në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Andrea Balli”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve vendorë, trajnerëve dhe qytetarëve. Aktiviteti u shoqërua me demonstrime të TaeKwonDo-së dhe ndeshje boksi, duke krijuar një atmosferë entuziaste.
Akademia vjen si një zgjidhje konkrete për të rinjtë e zonës, të cilët deri më tani detyroheshin të udhëtonin drejt Korçës për t’u stërvitur. Tashmë, edhe fëmijët nga mosha 4 vjeç e lart kanë mundësi të ushtrohen pranë qytetit të tyre.
Nisma është mbështetur nga Bashkia Devoll, e cila e konsideron këtë një hap të rëndësishëm për zhvillimin sportiv dhe social të brezit të ri.
Kjo akademi pritet të ndikojë pozitivisht në jetën e të rinjve, duke i orientuar drejt sportit dhe larg fenomeneve negative, si dhe duke krijuar kushte për zhvillimin e talenteve të reja.

Lajme Te Ndryshme