Partia Socialiste e Korçës ka hyrë në fazë riorganizimi të plotë, që nënkupton zgjedhje të drejtuesve të rinj, në çdo strukturë, përfshirë edhe kryetarin e degës. Edhe në këto zgjedhje, strukturat do të drejtohen nga dy bashkëkryetarë, të cilët do të zgjidhen nga anëtarësia socialiste. Emri më i diskutuar për të drejtuar PS të Korçës është ai i Vinjola Rotës, drejtore e Drejtorisë Rajonale të Arsimit. Mësohet se Rota ka kërkuar të propozohet nga disa organizata lagjesh dhe bashkë me kandidaturat e tjera, pritet të diskutohen dhe miratohen nga Asambleja Socialiste e Qarkut të Korçës, dmth nga Niko Peleshi.
Vinjola Rota u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë të Qarkut të Korçës në zgjedhjet e fundit parlamentare nga Niko Peleshi, duke siguruar 4,900 vota.
Në sfidën e saj të parë politike, drejtorja e arsimit, e cila ka në dorë punën dhe bukën e 3,070 mësuesve të Qarkut të Korçës, përmes shpërdorimit të burimeve publike, për të cilat u akuzua nga opozita, arriti të merrte një rezultat të kënaqshëm, shumë më të lartë se profili i saj publik, profesional dhe politik, por shumë larg pritshmërive dhe ambicjes së saj.
Me ç’duken zhvillimet në kampin e majtë, gruaja që do bashkëdrejtojë PS të Korçës do të jetë Vinjola Rota, ndërsa emri i bashkëkryetarit tjetër pritet të jetë ai i kryetarit në detyrë.

Lajme Te Ndryshme