Shkruan: Leonard Koja
KRYEMINISTRI I BASHKISË SË MADHE:
DHE PUSHTETI LOKAL MBETET NËN KËMBËT E NJË NJERIU:
Shqipëria e gushtit 2025 nuk është ajo e kartolinave me det të kaltër, male madhështore e sheshe plot gjallëri.
Është Shqipëria e pluhurit, zhurmës së fadromave dhe urdhrave që zbresin nga një zyrë e vetme në Tiranë.
Është Shqipëria ku Kryeministri Edi Rama nuk është thjesht shefi i qeverisë – ai është Kryebashkiaku suprem, drejtori i çdo institucioni lokal, gjykatësi i çdo çështjeje ndërtimi, pronari i çdo cope toke publike dhe private.
Kjo nuk është më demokraci – kjo është një bashki gjigante e quajtur Shqipëri, ku çdo qytet, fshat e lagje është vetëm një degë e vogël e një administrate të centralizuar deri në palcë.
Në këtë republikë të vogël të tij, nuk ekzistojnë më kryetarë bashkish, por vetëm sekretarë të bindur, shërbëtorë që presin radhën të marrin urdhrin e radhës nga “selia qendrore” dhe ta zbatojnë pa guxuar të hapin gojën.
Nga Alpet në Bregdet – fadroma, pluhur dhe frikë:
Në vend që të kishte koncerte, panaire dhe aktivitete turistike në kulmin e sezonit, vendi është shndërruar në një kantier shkatërrimi.
Nga Vermoshi në Ksamil, ku të kthehesh kokën sheh fadroma që shembin, prishin, demolojnë – shpesh pa paralajmërim, pa shpjegim dhe pa asnjë respekt për pronën private apo për djersën e njerëzve.
Turistët vijnë për të parë plazhe dhe gjejnë mure që rrëzohen mes pluhurit.
Banorët zgjohen në mëngjes dhe para portës së tyre është një kamion, një polic bashkie dhe një inspektor që u lexon një urdhër të firmosur në Tiranë. Nuk ka asnjë vendim lokal, asnjë konsultim, asnjë respekt për autoritetin e zgjedhur nga populli.
Ku janë kryetarët e bashkive?
A janë gjallë?
Apo janë zhdukur në zyrat e tyre, duke pritur të kalojë stuhia e fadromave?
Këta njerëz, që para pak muajsh dolën para nesh, shtrënguan duart e fshatarëve, u ulën në kafe me pensionistët, premtuan zhvillim e dinjitet, sot janë kthyer në figurantë.
Jo vetëm që nuk mbrojnë qytetarët që i votuan, por nuk guxojnë as të shprehin një fjalë kundër – sepse pushteti lokal nuk është më pushtet, është degë e pushtetit qendror.
Kryetarë bashkish të zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga populli sot janë nënkryetarë të vullnetshëm të Edi Ramës.
Ata nuk kanë fuqi të thonë “jo” ndaj një vendimi absurd, sepse buxheti i bashkisë varet nga një nënshkrim në Kryeministri.
Dhe për t’i mbajtur gjallë projektet e tyre – edhe ato më të voglat, si ndreqja e një rruge fshati – ata pranojnë të jenë marioneta pa dinjitet.
Terrori i fadromës:
Ky nuk është thjesht prishje ndërtimesh pa leje.
Ky është një mesazh politik:
“Unë jam pronari i këtij vendi. Unë vendos çfarë qëndron dhe çfarë zhduket. Unë mund ta rrëzoj shtëpinë, dyqanin apo biznesin tënd, edhe në kulmin e sezonit, dhe ti nuk ke ku të ankohesh.”
Biznese familjare, të ndërtuara me vite djersë dhe sakrificë, shemben në një mëngjes të vetëm.
Shumë prej tyre pa asnjë vendim gjykate, pa asnjë proces të rregullt ligjor.
Banorët që guxojnë të protestojnë ndalohen, filmohet si “pengues të punimeve” dhe etiketohet si “shkelës ligji”.
Ky është terrorizëm institucional – jo me armë, por me fadroma e urdhra administrative.
Gushti që mund të ishte pasuri, u kthye në dëm:
Në gusht, çdo vend normal në botë e shfrytëzon kulmin e sezonit turistik për të fituar, për të promovuar veten, për të tërhequr investime dhe për të hapur vende pune.
Në Shqipërinë e Ramës, gushti është muaji i prishjeve, panikut dhe frikës.
Në plazhet e jugut, lokalet mbyllen me shirit të kuq në mes të ditës.
Në veri, rrugët bllokohen nga makineri të rënda që rrëzojnë mure, ndërsa bizneset humbin klientët.
Kjo nuk është as reformë, as zhvillim.
Kjo është politikë shtrënguese që i tregon çdo qytetari se jeta e tij ekonomike, sociale e madje edhe private varet nga humorit i një njeriu në Tiranë.
Pushteti lokal – një kufomë politike:
Ligji e thotë qartë:
Pushteti lokal është autonom.
Por realiteti është i kundërt – ai është kufomë politike, e mbajtur gjallë vetëm për t’i dhënë Shqipërisë fasadën e demokracisë.
Kryetarët e bashkive janë të zgjedhur nga populli, por sot raportojnë vetëm te një njeri.
Vendimmarrja është centralizuar aq fort, sa edhe çështjet më banale – si vendosja e një koshi plehrash apo rregullimi i një sheshi – duan miratim nga lart.
Shqipëria nuk ka më 61 bashki – ka një bashki të madhe të quajtur “Republika e Ramës”, me seli në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe me 61 filiale që firmosin çdo gjë që u dërgohet nga “selia qendrore”.
Dinjiteti i humbur:
Pushteti lokal ka humbur jo vetëm fuqinë, por edhe fytyrën.
Kur kryetarët e bashkive pranojnë të jenë nënshkrues të heshtur të vendimeve që dëmtojnë qytetet e tyre, ata bëhen bashkëfajtorë. Ata tradhtojnë votën që i solli në karrige.
Dhe një kryetar bashkie që nuk mbron qytetarët e vet përballë pushtetit qendror nuk është më përfaqësues i popullit – është vegël politike.
Ky është realiteti i gushtit 2025:
Një vend ku Kryeministri është edhe Kryebashkiak, edhe gjyqtar, edhe prokuror, edhe inspektor.
Një vend ku pushteti lokal është i shuar dhe ku fadromat e shtetit janë më të shpejta se çdo proces gjyqësor.
Një vend ku frika ka zëvendësuar ligjin dhe ku dinjiteti i zgjedhjes me votë është kthyer në nënshtrim të turpshëm.
Dhe nëse kjo vazhdon, Shqipëria nuk do të ketë më qytetarë – do të ketë vetëm nënshtetas të bindur ndaj një bashkie të vetme të quajtur Republika e Ramës.





