Një incident i dhunshëm në familje është regjistruar në qytetin e Pogradecit, ku një burrë dyshohet se ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij brenda banesës së familjarëve të tyre në lagjen nr. 4 të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, çifti jeton prej vitesh në Greqi dhe kishte ardhur në Pogradec për të kaluar pushimet pranë të afërmve. Burime paraprake bëjnë me dije se mes bashkëshortëve ka pasur një konflikt të çastit, i cili më pas ka degjeneruar në dhunë. Në rrethana që po hetohen, burri dyshohet se ka marrë një thikë dhe ka goditur bashkëshorten, duke i shkaktuar plagë.
Gruaja është transportuar menjëherë në Spitalin e Pogradecit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas ajo pritet të dërgohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Sipas burimeve mjekësore, e dëmtuara ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autori i dyshuar është shoqëruar nga efektivët e Policisë së Pogradecit në ambientet e komisariatit. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij rasti.

Lajme Te Ndryshme